Diaspora shqiptare nga Gostivari në Zvicër ka vazhduar traditën e organizimit të festivalit “Gostivari në Mërgim”, duke mbajtur edicionin e tretë të këtij aktiviteti kulturor më 21 nëntor në Winterthur.

Manifestimi u organizua në kuadër të shënimit të 22 dhe 28 Nëntorit, datave të rëndësishme për historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.


Programi u pasurua me aktivitete kulturore e artistike, ku u prezantuan artistë shqiptarë dhe valltarë të Shoqërisë Kulturore “Iliria” nga St. Galleni, duke krijuar një atmosferë festive për të pranishmit.

Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni ishte ndarja e mirënjohjeve për dhjetë të rinj të diplomuar nga diaspora e Gostivarit, të cilët kanë përfunduar studimet në fusha të ndryshme. Për herë të parë, Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Diasporë ndau trofe për të diplomuarit, me synimin që kjo iniciativë të shndërrohet në traditë edhe në vitet e ardhshme.

Në bashkëpunim me Agjencinë e Diasporës së Maqedonisë, gjatë aktivitetit u organizua edhe shpërndarja e librave shqip për fëmijët e familjeve pjesëmarrëse. Përmes një këndi të veçantë të librave, fëmijët patën mundësi të përzgjedhin botime në gjuhën e tyre amtare.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, dhe kryetari i Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, të cilët u nderuan me mirënjohje për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre.

Kryetari i Unionit, Kasam Selimi, falënderoi shoqatat anëtare dhe sponsorët për kontributin në organizimin e manifestimit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me mësimin e gjuhës shqipe dhe regjistrimin e fëmijëve në shkollat shqipe në diasporë.

Ai u bëri thirrje prindërve që të kujdesen për edukimin e fëmijëve në gjuhën amtare, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të rëndësishme për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ndër aktivitetet e ardhshme të Unionit është edhe një turne futbolli, i planifikuar për mars të vitit 2027 në Wallisellen të Zvicrës.

Përmes këtij manifestimi, diaspora e Gostivarit dëshmoi edhe një herë përkushtimin për ruajtjen e kulturës, traditave dhe gjuhës shqipe, duke krijuar njëkohësisht hapësira për vlerësimin e arritjeve të gjeneratës së re./Telegrafi/