Cristian Shpendi dhuron spektakël në Itali, me sulmuesin shqiptar që shpërtheu me një “tripletë” golash duke udhëhequr Cesena-n në suksesin 5-1 përballë Ascoli-t. 18 minuta i mjaftuan Shpendit për të tundur tre herë rrjetën, madje duke shënuar gola fantastik. Në të 69-të, “bomberi” kuqezi u shërbye brenda në zonë dhe me një goditje perfektë tundi rrjetën për herë të parë, ndërsa për Cesena-n ishte goli i tretë. Në minutën e 84-ët, Shpendi rrëmbeu një top në mesin e fushës dhe me një zbritje të shpejtë kaloi edhe portierin duke realizuar golin e dytë personal. Tre minuta më vonë, Shpendi kompletoi “tripletën” e tij personale duke marrë me vete topin, ndërsa Cesena i falet edhe një herë sulmuesit kuqezi i cili falë kësaj “triplete” ngjitet në kuotën e 12 golave në Serie B.
Cristian Shpendi barazon rekordin e tij personal, me 12 gola në Serie B, por këtë rekord Shpendi e arriti me 13 ndeshje, ndërsa 12 gola në sezonin e tij të parë në Serie B e arriti me 37 ndeshje në dispozicion.
Në radhët e Cesena-s i gëzohen formës fantastike të C.Shpendit, por në të njëjtën kohë janë të qartë se me këto numra është shumë e vështirë ta mbajnë edhe për shumë kohë në skuadër sulmuesin kuqezi. Shpendi ka një kontratë deri në vitin 2028, por Cesena po planifikon t’i rinovojnë kontratën deri në vitin 2029 me qëllim për t’i përmirësuar kushtet financiare me Shpendin që përfiton aktualisht 1,4 milionë euro në sezon.
Mediat italiane bëjnë me dije se Cagliari dhe Sassuolo janë dy ekipet e Serie A të cilat janë të gatshme të investojnë miliona për të blerë kartonin e sulmuesin shqiptar.
