Ansambli folklorik “Art Besëlidhja” në Lezhë kremtoj 15-vjetorin e krijimit përmes një koncerti festiv në Pallatin e Kulturës “Dedë Ndue Lazri”. Në këtë përvjetor të veçantë, fëmijët pjesëmarrës në ansambël sollën një program të pasur artistik, me valle tradicionale, interpretime instrumentale në çifteli dhe këngë folklorike, duke dëshmuar talentin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e traditave shqiptare.
Drejtuesi i ansamblit, rapsodi dhe instrumentisti Llesh Prenga, u shpreh se valltaret dhe instrumentistet po luajnë një rol të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të muzikës folklorike, ku ansambli ka përfaqësuar Lezhën në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme.
Kontributi i ansamblit në promovimin e trashëgimisë kulturore u vlerësua edhe nga përfaqësues të institucioneve vendore, të cilët përgëzuan fëmijët dhe drejtuesit për punën e bërë ndër vite, duke e cilësuar këtë aktivitet si një shembull të rëndësishëm të edukimit të brezave të rinj me vlerat e folklorit shqiptar.
Në përfundim të koncertit, Bashkia Lezhë vlerësoi me certifikata mirënjohjeje fëmijët pjesëmarrës në ansambël, i cili vijon të jetë një promotor i folklorit dhe traditës shqiptare, duke përcjellë te brezat e rinj këngën, vallen dhe muzikën tradicionale.









Komente
Komento