Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, ndërsa një tjetër 21-vjeçar është proceduar penalisht, pasi dyshohet se transportonin fishekzjarrë të kontrabanduar me qëllim shitjen e tyre.
Sipas policisë, në kuadër të operacionit “Fireworks” është arrestuar 25-vjeçari, i identifikuar me inicialet R. B., ndërsa 21-vjeçari, me inicialet F. A., është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Dy të rinjtë u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, teksa transportonin me dy automjete kuti me fishekzjarrë, që dyshohet se ishin kontrabanduar dhe do të shiteshin më pas.
Nga hetimet paraprake rezultoi se lëndët piroteknike nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës të blerjes, ndërsa personat e përfshirë nuk ishin të licencuar për tregtimin e tyre.
Gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesën e 25-vjeçarit, policia sekuestroi gjithsej 21 kuti me fishekzjarrë, si dhe automjetin dhe celularin e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.













