Policia e Shkodrës finalizoi operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe që dyshohen se shpërndanin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në hapësira publike të qytetit. Në kuadër të operacionit u arrestuan 13 persona, ndër të cilët tre me precedentë penalë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Policia njoftoi se personat e dyshuar ishin organizuar në disa grupe dhe ushtronin veprimtarinë e shitjes së drogës në doza, duke synuar kryesisht zonat pranë institucioneve arsimore dhe hapësirat publike. Të arrestuarit janë F. G., 39 vjeç, I. T., 35 vjeç, S. K., 25 vjeç, L. M., 18 vjeç, Q. G., 36 vjeç, M. P., 21 vjeç, L. D., 28 vjeç, E. M., 20 vjeç, E. F., 21 vjeç, E. F., 23 vjeç, Gj. K., 21 vjeç dhe M. Gj., 18 vjeç, të gjithë banues në Shkodër, si dhe A. S., 21 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Gjatë kontrolleve në banesat e tyre u sekuestruan 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe paketuar në qese farmaceutike. Si prova materiale u sekuestruan gjithashtu dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe materiale të tjera që dyshohet se përdroheshin për paketimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Të 13 personat dyshohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Në njoftim theksohet se hetimet u zhvilluan me metoda proaktive dhe në koordinim me organet e Prokurorisë, ndërsa materialet e sekuestruara do të shërbejnë si prova në procedurat e mëtejshme.

