Sekuestrohen 21 kuti me lëndë piroteknike, të gjetura në automjetin dhe banesën e të arrestuarit. Në pranga organizatori i dyshuar i aktivitetit, ndërsa një 21-vjeçar procedohet penalisht në gjendje të lirë.
Një tjetër rast i posedimit dhe transportimit të lëndëve piroteknike të dyshuara të kontrabanduara është goditur në Tiranë. Policia ka finalizuar fazën e katërt të operacionit të koduar “Fireworks”, në kuadër të kontrolleve për evidentimin e personave që posedojnë dhe shesin fishekzjarrë pa dokumentacionin përkatës.
Në përfundim të operacionit, është arrestuar një 25-vjeçar me inicialet R. B., i dyshuar si organizator i veprimtarisë së kundërligjshme, ndërsa një 21-vjeçar, me inicialet F. A., është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dy të rinjtë janë ndaluar në rrugën “7 Nëntori”, teksa transportonin me dy automjete kuti me fishekzjarrë, dyshohet për llogari të 25-vjeçarit, me qëllim shitjen e tyre.
Gjatë kontrolleve, policia ka konstatuar se lënda piroteknike nuk shoqërohej me dokumentacionin përkatës të blerjes, ndërsa dy shtetasit nuk ishin të licencuar për tregtimin e saj.
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e 25-vjeçarit, ku janë gjetur kuti të tjera me fishekzjarrë. Në total, autoritetet kanë sekuestruar 21 kuti me lëndë piroteknike, si dhe automjetin dhe celularin e të arrestuarit.
Operacioni “Fireworks 4” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të punës për identifikimin dhe ndalimin e personave që posedojnë ose tregtojnë lëndë piroteknike të kontrabanduara, të dyshuara edhe për përdorim të kundërligjshëm.
Policia bën me dije se hetimet dhe kontrollet vijojnë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.










