Vodhën rezidencën e Princit William dhe Kate, arrestohen dy shqiptarë. Policia i kërkoi me qen, dronë dhe helikopter me kamera termike

Botë | 1 minutë më parë

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se kanë vjedhur rezidencën Anmer Hall në Norfolk, ku qëndrojnë Princi William dhe Princesha Kate.

Sipas raportimit të gazetës britanike “The Sun”, ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, pak para orës 18:00, ndërsa çifti mbretëror dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë.

Dyshohet se personat kanë hyrë në territorin e rezidencës me qëllim vjedhjen, pa e ditur se bëhej fjalë për banesën e Princit dhe Princeshës së Uellsit.

Sipas “The Sun”, njëri prej të arrestuarve kishte paraqitur më herët kërkesë për azil në Britani, por statusi i tij kishte skaduar.

Pas alarmit të sigurisë, policia ndërmori një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare, i pajisur me teknologji për identifikimin e burimeve të nxehtësisë.

Dy personat u arrestuan në afërsi të pronës, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paligjshme. Ata vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Norfolkut konfirmoi se kishte ndërhyrë pas raportimit të aktivitetit të dyshimtë dhe se në operacion ishin përfshirë njësi të specializuara.

Anmer Hall është një rezidencë me dhjetë dhoma gjumi, e ndodhur në pronën mbretërore Sandringham. Ajo iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre dhe shërben si një nga vendet ku familja mbretërore kalon pushimet dhe kohën larg angazhimeve zyrtare.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse të dyshuarit kanë vepruar të vetëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme