Ironia e Lutfi Dervishit: Ngrihet Komisioni për internimin, Veliaj dhe Spiropali të parët që nënshtrohen
Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka zgjedhur ironinë për të komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste, pas përplasjeve dhe lëvizjeve që kanë shoqëruar mazhorancën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dervishi ka publikuar një dokument satirik, të paraqitur në formën e një vendimi të Këshillit të Ministrave, për ngritjen e një të ashtuquajturi “Komision Qeveritar të Dëbim-Internimeve”.
Në qendër të ironisë janë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputetja socialiste Elisa Spiropali, të cilët në dokument renditen si emrat e parë që do t’i nënshtrohen masës së imagjinuar të internimit.
Me një gjuhë të ndërtuar sipas formulimeve zyrtare të vendimeve qeveritare, dokumenti tallet me mënyrën se si trajtohen zërat kritikë, ambiciet politike dhe qëndrimet e pavarura brenda mazhorancës.
Në tekstin satirik, komisionit i atribuohet detyra për të shqyrtuar rastet e zyrtarëve që shfaqin “prirje për mendim të pavarur”, ambicie politike apo qëndrime që nuk përputhen me vijën e udhëheqjes. Madje, ironia shkon më tej, duke parashikuar se kontributet e mëparshme në fushata, deklaratat e besnikërisë dhe fotografitë me drejtuesit e partisë nuk do të konsiderohen më si rrethana lehtësuese.
Një tjetër element thumbues është parashikimi se kohëzgjatja dhe vendi i internimit do të përcaktohen në varësi të shkallës së pendesës dhe nevojave politike të momentit. Lista, sipas dokumentit, do të mbetet e hapur.
Dervishi e shoqëron publikimin me një tjetër dozë humori, duke ironizuar se dokumenti dyshohet se është nxjerrë nga serverët e Partisë Socialiste gjatë një sulmi të hakerëve iranianë dhe koreano-veriorë.
Postimi i plotë:
Zbulohet një tjetër dokument që dyshohet se është vjedhur nga serverët e Partisë Socialiste gjatë sulmit të hakerëve iranianë dhe koreano-veriorë. Dokumenti, i datës 24 nëntor 2026, paraqitet si vendim i Këshillit të Ministrave për ngritjen e Komisionit Qeveritar të Dëbim-Internimeve. Në krye të listës së parë për internim figurojnë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali. Më poshtë botojmë tekstin e plotë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I MINISTRAVE
VENDIM
Nr. extra, datë 24.11.2026
PËR NGRITJEN E KOMISIONIT QEVERITAR TË DËBIM-INTERNIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në përgjigje nevojave të kohës, me qëllim ruajtjen e unitetit të Partisë, forcimin e disiplinës së brendshme dhe parandalimin e shfaqjeve të huaja në gjirin e mazhorancës, me propozim të Kryeministrit,
KËSHILLI I MINISTRAVE VENDOSI:
1. Ngritjen e Komisionit Qeveritar të Dëbim-Internimeve, si organ i përhershëm pranë Kryeministrisë.
2. Komisioni shqyrton rastet e zyrtarëve që shfaqin prirje për mendim të pavarur, ambicie të pakontrolluara, kontakte të papërshtatshme apo luhatje në qëndrimin ndaj udhëheqjes.
3. Në listën e parë të personave që i nënshtrohen masës së internimit përfshihen:
- a) Erion Veliaj;
- b) Elisa Spiropali.
1. Meritat e mëparshme, kontributet në fushata, deklaratat e besnikërisë dhe fotografitë me udhëheqjen nuk përbëjnë më rrethana lehtësuese.
2. Komisioni ngarkohet të përcaktojë vendin dhe kohëzgjatjen e internimit, në varësi të shkallës së pendesës dhe nevojave politike të momentit.
3. Lista e personave që i nënshtrohen kësaj mase mbetet e hapur.
4. Vendimet e Komisionit janë të formës së prerë, përveç rasteve kur udhëheqja ndryshon mendim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe, sipas rastit, edhe me fuqi prapavepruese.
KRYEMINISTRI
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




