Greqia është përfshirë këtë të mërkurë nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, e cila ka shkaktuar ndërprerje në një sërë sektorësh të rëndësishëm të vendit. Mijëra punonjës të administratës publike dhe sektorit privat kanë dalë në protesta për të kundërshtuar rritjen e kostos së jetesës, pagat e ulëta dhe përkeqësimin e kushteve të punës.
Mobilizimi është iniciuar nga sindikata e nëpunësve të administratës publike, ADEDY, ndërsa thirrjes për grevë i janë përgjigjur dhjetëra organizata sindikale, federata të punonjësve të sektorit privat, studentë, pensionistë dhe fermerë.
Tubime proteste janë organizuar në më shumë se 65 qytete greke, përfshirë Athinën dhe Selanikun.
“Nuk pajtohemi me rritjen e çmimeve, me pagat që mbeten në vendnumëro, me varfërinë energjetike dhe me gjendjen dramatike të shëndetësisë dhe arsimit publik”, thuhet në deklaratën e sindikatës ADEDY.
Greva ka ndikuar ndjeshëm në funksionimin e transportit publik, institucioneve arsimore, spitaleve dhe shërbimeve shtetërore. Punës i janë larguar përkohësisht edhe punonjësit e sektorit bankar.
Në shumë porte të vendit, anijet kanë mbetur të ankoruara, ndërsa metroja e Athinës do të funksionojë me orar të reduktuar, nga ora 09:00 deri në 18:00.
Ndërprerje janë regjistruar edhe në transportin ajror. Në 15 aeroporte rajonale janë anuluar fluturimet për shkak të pjesëmarrjes në grevë të punonjësve të shërbimeve të informacionit të fluturimeve. Megjithatë, aeroportet kryesore dhe fluturimet ndërkombëtare nuk janë prekur nga një pezullim i përgjithshëm i aktivitetit.
Sindikatat kërkojnë rritje reale të pagave, rikthimin e pagës së 13-të dhe të 14-të për punonjësit e administratës publike, shtimin e personelit në spitale dhe shkolla, si dhe ndërhyrje konkrete për frenimin e rritjes së çmimeve dhe qirave.
Në qendër të protestave qëndron dobësimi i fuqisë blerëse të qytetarëve grekë, të cilët po përballen me rritje të vazhdueshme të shpenzimeve të përditshme.
Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit Grek të Statistikave, inflacioni në muajin tetor arriti në 5,7% në bazë vjetore, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore u rritën mesatarisht me 2,1%.
Rritje më të ndjeshme janë regjistruar te disa produkte bazë. Çmimi i mishit të viçit është rritur me 6,5%, ai i mishit të qengjit dhe kecit me 9,1%, ndërsa vezët janë shtrenjtuar me 4,9%.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në sektorin e strehimit. Qiratë e banesave janë rritur me 6,8% brenda një viti, ndërsa kostot e përgjithshme të strehimit, ku përfshihen energjia dhe ngrohja, kanë shënuar një rritje prej 15,1%.
Situata ekonomike ka nxitur edhe përplasje politike në Greqi. Opozita akuzon qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis se politikat e saj për rritjen e pagave nuk po arrijnë të kompensojnë shtrenjtimin e jetesës.
Nga ana tjetër, ekzekutivi grek argumenton se po ndërmerr një sërë masash për përmirësimin e të ardhurave të qytetarëve dhe reduktimin e barrës fiskale.
Projektbuxheti për vitin 2027 parashikon masa mbështetëse për familjet, rritje pagash dhe një shpërblim prej 500 eurosh në fund të vitit për punonjësit e administratës publike.
Qeveria parashikon gjithashtu që inflacioni të zbresë në nivelin 2,8% gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që sindikatat kërkojnë ndërhyrje më të menjëhershme për përballimin e kostos së jetesës.
