Danimarka po shqyrton zgjerimin e kufizimeve për mbajtjen e shamisë islame, duke përfshirë edhe sallat e gjyqit. Ministri i Drejtësisë, Nicolai Wammen, ka njoftuar se prokurorët do t’i nënshtrohen rregullave të reja që kërkojnë neutralitet fetar dhe politik gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas ministrit, rregullat parashikojnë që prokurorët e shtetit, njësoj si gjyqtarët, të mos mbajnë simbole fetare apo politike gjatë pjesëmarrjes në procedurat gjyqësore.
“Kjo ka të bëjë kryesisht me shamitë islamike, të cilat prokurorët nuk do të mund t’i mbajnë më në gjykatë”, deklaroi Wammen. Ai argumentoi se masa synon të garantojë besimin e publikut te paanshmëria e sistemit të drejtësisë. “Është e rëndësishme të mos ketë asnjë dyshim se prokurorët e kryejnë punën e tyre në sallat e gjyqit në mënyrë objektive dhe të paanshme”, u shpreh ministri.
Danimarka, debat edhe për ndalimin e shamisë në shkolla
Nisma e re vjen në një kohë kur në Danimarkë po zhvillohet një debat politik për ndalimin e shamisë islame në shkollat fillore dhe të mesme. Kryeministrja Mette Frederiksen ka shprehur mbështetjen për një ndalim të tillë, propozim që është promovuar nga partitë e djathta dhe të djathtës ekstreme. Frederiksen e ka cilësuar shaminë islame si një shprehje të shtypjes, por njëkohësisht ka ngritur pikëpyetje për mundësinë e zbatimit të ndalimit në një vend ku liria e shprehjes dhe toleranca fetare janë vlera të rëndësishme.
Ndërkohë, që prej gushtit të vitit 2018, Danimarka ka në fuqi një ligj që ndalon mbulimin e fytyrës në ambiente publike. Personat që shkelin këtë dispozitë, duke mbajtur veshje që fshehin fytyrën, mund të ndëshkohen me gjobë. Diskutimi i fundit tregon se çështja e simboleve fetare dhe kufijve të neutralitetit në institucionet publike vijon të jetë një temë e debatueshme në politikën daneze.
