“Pervert glasses”, shpallet fjala e vitit 2026 në Australi
Syzet me kamera të fshehta po ngrenë shqetësime për fotografimin dhe filmimin e njerëzve pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.
Shprehja “Pervert glasses” është shpallur fjala e vitit 2026 nga fjalori australian Macquarie, duke reflektuar shqetësimet që po shkakton përdorimi i syzeve inteligjente me kamera.
Bëhet fjalë për syze të pajisura me kamera të vogla, të cilat mundësojnë fotografimin dhe regjistrimin e videove gjatë përdorimit të tyre. Problemi qëndron te fakti se njerëzit përreth mund të mos e kuptojnë se po fotografohen apo filmohen.
Përhapja e këtyre pajisjeve ka hapur debat për privatësinë dhe të drejtën e njerëzve për të mos u regjistruar pa pëlqimin e tyre.
Termi “Pervert glasses”, që në shqip mund të përkthehet si “syzet e perversëve”, u përzgjodh për të përshkruar shqetësimin ndaj përdorimit të papërshtatshëm të kësaj teknologjie.
Sipas euronews, zgjedhja e fjalorit Macquarie tregon se si teknologjia e re po sjell jo vetëm pajisje dhe mundësi të reja, por edhe fjalë që pasqyrojnë problemet me të cilat përballet shoqëria moderne.
Kështu, një pajisje që fillimisht u krijua për ta bërë jetën më praktike, është kthyer edhe në objekt debati për kufijtë e privatësisë.















