Lajmi i fundit

EMRAT/ U futën në banesën e Princit William dhe Kate Middleton, ngrihet akuzë ndaj dy shqiptarëve

Zbardhen përgjimet e bosit italian të drogës: Shqiptarët janë padronët e rinj, pushteti është vetëm te paratë

Zbardhen përgjimet e bosit italian të drogës: Shqiptarët janë padronët e rinj, pushteti është vetëm te paratë

10:32, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përgjimet e bosit të dyshuar të drogës në Katania: Nga furnitorët kalabrezë te paraja që ka më shumë peshë se hierarkitë e vjetra

Nga Giorgio Curcio, CORRIERE DELLA CALABRIA 

“Sot, siç më mëson edhe ti shumë mirë, ajo që përcakton se kush komandon, është cilësia dhe çmimi”.

Rregullat e tregut të kokainës duket se po përcaktohen gjithnjë e më shumë nga paratë, aftësia për të siguruar lëndën narkotike dhe për ta tregtuar atë me çmime konkurruese.

Pra, jo më vetëm nga kontrolli i territorit, aleancat mes familjeve kriminale dhe respektimi i hierarkive mafioze.

Ky “transformim” i ekuilibrave kriminalë përshkruhet mjaft mirë nga Mirko Natale Scalia (i lindur në vitin 1988), i cili përfundoi në burg në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Qarkut të Katanias, që nxori në pah ekzistencën e dy organizatave të dyshuara për trafik droge.

Sipas hetuesve, pikërisht Scalia “ka menaxhuar një trafik të përmasave të mëdha të kokainës, duke u mbështetur në kanale të konsoliduara furnizimi në Kalabri”.

“Pushteti është vetëm te paratë”

Më 29 maj 2024, brenda agjencisë së makinave me qira të Scalias, hetuesit përgjuan një bisedë të gjatë mes këtij të fundit dhe dy burrave me theks nga rajoni i Kampanias, të cilët nuk janë identifikuar. Gjatë bisedës u trajtuan tema të ndryshme, duke filluar nga çmimet e kokainës dhe marrëdhëniet mes organizatave kriminale, deri te roli gjithnjë e më i rëndësishëm që kanë marrë trafikantët shqiptarë të drogës.

“Unë nuk mund të vij të komandoj në shtëpinë tënde… e kupton?”, vëren njëri prej dy bashkëbiseduesve.

“Jo, por nuk duhet të komandosh… sot, siç më mëson edhe ti shumë mirë, ajo që përcakton se kush komandon është cilësia dhe çmimi”, përgjigjet Scalia. “Nuk është më çështje pushteti… pushteti është vetëm te paratë”.

Trafikanti nga Katania shpjegon më pas pikëpamjen e tij për tregun kriminal, ku leverdia ekonomike duket se mund të mbizotërojë edhe mbi imponimet tradicionale territoriale.

“Nëse vjen tek unë, në lagjen time (…), nuk duhet të vish për të komanduar… duhet të vish për të bërë një ofertë”.

Dhe në këtë skenar, sipas Scalias, as aleancat mes grupeve kriminale nuk përfaqësojnë më një garanci stabiliteti.

“Vrasjet ndodhin për shkak të xhelozisë dhe tradhtisë së vetë shokëve”, pohon ai gjatë bisedës. “Sipas mendimit tim, historia e miqve dhe e aleancave ka marrë fund”.

Kokaina kalabreze dhe konkurrenca ndërkombëtare

Biseda kalon më pas te çmimet e lëndës narkotike dhe vështirësitë e furnizimit që ishin hasur në atë periudhë, të cilat Scalia ia atribuon edhe sekuestrimeve të shumta të drogës të kryera në Kalabri.

“Problemi është se këtu, në pjesën më të madhe, punohet me kalabrezët”, shpjegon Scalia.

“E di”, përgjigjet njëri prej dy burrave.

“Dhe që kur kalabrezët patën problemet e tyre… nuk po ‘shkarkojnë’ më”.

“Kanë pasur shumë sekuestrime”.

“Kanë bllokuar portin”, shton Scalia.

“Në Gioia Tauro… atje mbërrinte ngarkesa… dhe gjithçka niste prej andej”, ndërhyn bashkëbiseduesi i dytë.

Por Kalabria duhet të përballet edhe me konkurrencën e kanaleve të tjera evropiane të furnizimit. Të tre diskutojnë për karakteristikat e kokainës që vjen nga zona të ndryshme gjeografike, duke krahasuar atë që hidhet në treg përmes furnizuesve kalabrezë me kokainën që mbërrin në Napoli nga Spanja dhe Holanda.

Nga ky krahasim dalin mendime krejtësisht të ndryshme për cilësinë e lëndës narkotike, një tjetër faktor që mund të ndikojë në ekuilibrat e tregut të paligjshëm.

Ngritja e trafikantëve shqiptarë të drogës

“E di kush po shet shumë? Shqiptarët”.

Pikërisht gjatë kësaj bisede përmenden organizatat kriminale shqiptare dhe prania e tyre gjithnjë e më e madhe në tregun italian të kokainës.

“Shqiptarët kanë fituar shumë pushtet këtu”, përgjigjet Scalia. “Shumë në Napoli, edhe në Milano”.

“Edhe këtu… shqiptarët po lëvizin fuqishëm”.

Sipas asaj që pohojnë të tre bashkëbiseduesit, trafikantët shqiptarë të drogës kanë arritur të marrin pjesë të rëndësishme të tregut, edhe përmes lidhjeve të tyre me Holandën. Një prani që, sipas këndvështrimit të Scalias, ka kontribuar në përmbysjen e disa prej rregullave tradicionale të organizatave mafioze.

“Prandaj të them se nuk ka më rregulla…”, shprehet kataniasi.

“Bravo”.

“Në vitet 2000, 2003 nuk ekzistonte asnjë shqiptar që të vinte këtu”.

“Nuk ekzistonte”.

“Mafia këtu ua priste duart… ndërsa tani është shqiptari ai që ia pret duart mafias”.

Njëri prej bashkëbiseduesve qesh, ndërsa tjetri sqaron: “Nuk është shqiptari… tani kjo na leverdis neve”.

Perëndimi i rregullave të vjetra

Në bisedën e gjatë të përgjuar nga hetuesit diskutohet edhe për sistemin e mbështetjes financiare të anëtarëve të organizatës që ndodhen në burg. Ky ishte një nga mekanizmat përmes të cilëve organizatat mafioze garantonin qëndrueshmërinë e tyre të brendshme, duke forcuar njëkohësisht lidhjen e përkatësisë mes anëtarëve.

“Dikur, respekti çfarë ishte… të ushqeje të burgosurit… të mbaje, le të themi, ata që nuk janë këtu… dhe ti e menaxhoje gjithçka”, tregon Scalia.

Sipas katanasit, ajo që ka vënë në pikëpyetje ekuilibrat e vjetër është pikërisht mundësia që familjet e veçanta kriminale të krijojnë në mënyrë të pavarur marrëdhënie me protagonistët e rinj të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Kështu, respektimit të hierarkive tradicionale, i është shtuar nevoja për të mbrojtur interesat e veta ekonomike, edhe në dëm të organizatave të tjera që veprojnë në të njëjtin territor.

“Nëse një familje merr ngarkesën, kjo i vjen për shtat asaj familjeje, ndërsa tri të tjerave jo… me sa duket”, vëren Scalia, duke iu referuar furnizuesve shqiptarë.

Raffaele Imperiale dhe trafiku me kalabrezët

Në fund të bisedës, të tre diskutojnë edhe për Raffaele Imperiale-n, trafikantin e drogës që u arrestua në Dubai dhe më pas u bë bashkëpunëtor i drejtësisë. Sipas rrëfimit të njërit prej bashkëbiseduesve të Scalias, ai kishte pasur një rol qendror në marrëdhëniet mes trafikantëve kolumbianë, kalabrezë dhe napolitanë.

“Kur arrestuan Raffaele Imperiale-n… e njeh Raffaele Imperiale-n? (…) Droga për gjithë botën mori fund. Ishte ai që menaxhonte marrëdhëniet me Kolumbinë, bënte që kalabrezët të merrnin furnizimet dhe që napolitanët të furnizoheshin; gjithçka e siguronte ai… që kur e arrestuan, çmimet janë rritur”.

“Kush është Raffaele Imperiale? Ai që arrestuan në…”.

“Në Dubai”.

“Në Dubai… ky ishte një njeri shumë, shumë, shumë i madh”, komenton Scalia.

“Ai ishte numri një”.

“Ai kishte aq shumë para, sa nuk e dinte as vetë sa kishte”, shton njëri prej dy burrave.

“Kush ka shumë dhe kush nuk ka asgjë”, përgjigjet në fund Scalia.

Pothuajse katër faqe përgjimesh që pasqyrojnë perceptimin e brendshëm të një rrjeti të dyshuar kriminal për transformimet e thella të tregut të kokainës. Një sistem në të cilin organizatat tradicionale mafioze duhet të përballen me bashkëbisedues të rinj, konkurrentë të rinj dhe interesa ekonomike, të cilat janë në gjendje të vënë në pikëpyetje edhe aleancat më të konsoliduara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco