Dy persona, që sipas mediave britanike dyshohet se janë shtetas shqiptarë, janë arrestuar pas një incidenti sigurie në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate, në Norfolk të Britanisë së Madhe.
Sipas gazetës britanike “The Sun”, dy burrat dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në pronën mbretërore Anmer Hall, pjesë e kompleksit Sandringham Estate.
Njëri prej të arrestuarve raportohet se qëndronte në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe. Ai kishte paraqitur më herët një kërkesë për azil, afati i së cilës, sipas raportimit, kishte përfunduar. Ndërkohë, nuk janë bërë publike informacione mbi statusin e emigracionit të personit tjetër.
Incidenti u regjistrua në mbrëmjen e 23 nëntorit, kur autoritetet britanike morën një njoftim për lëvizje të dyshimta brenda territorit të pronës mbretërore.
Policia nisi menjëherë një operacion kërkimi, në të cilin u angazhuan efektivë të shumtë, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare.
Operacioni përfundoi me arrestimin e dy burrave, të cilët dyshohen për vjedhje dhe hyrje të paligjshme në pronë. Ata vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Norfolkut ka konfirmuar se asnjë anëtar i familjes mbretërore nuk ndodhej në rezidencë në momentin e incidentit. Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në Windsor.
Anmer Hall është një prej rezidencave private të çiftit mbretëror, të cilën Mbretëresha Elizabeth II ua dhuroi pas martesës së tyre në vitin 2011. Familja e Princit William e përdor pronën kryesisht për të kaluar fundjavat dhe periudhat e pushimeve.
Hetimet për incidentin mbeten të hapura, ndërsa autoritetet britanike nuk kanë konfirmuar zyrtarisht kombësinë e dy të arrestuarve.
