E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Rajoni

Atentati ndaj “Papagallit” në Greqi, shqiptari drejtonte motorin e vrasësve, dyshohet se është arratisur drejt vendlindjes

Policia greke ka identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 52-vjeçarit N.G., i njohur në qarqet e botës së krimit me nofkën “Papagalli”, i ekzekutuar në zonën e Glyfadës, në Greqi.

Një 48-vjeçar është arrestuar në Agrinio, ndërsa një tjetër 48-vjeçar me origjinë shqiptare, i dyshuar se drejtonte motorin e përdorur në atentat, është shpallur në kërkim.

Sipas mediave greke, hetimet e policisë kanë zbardhur lëvizjet e personave të përfshirë, përmes analizimit të kamerave të sigurisë dhe gjurmëve të gjetura në disa zona të Atikës.

Motori u çmontua për të humbur gjurmët

Reklamë

Një nga provat kryesore që çoi në identifikimin e të dyshuarve ishin pjesët e motorit të përdorur në vrasje. Pas atentatit, mjeti dyshohet se u transportua në një banesë të izoluar në Keratea, ku u çmontua dhe pjesët u fshehën në vende të ndryshme.

Disa prej tyre u gjetën në banesën e 48-vjeçarit të arrestuar, ndërsa pjesë të tjera u zbuluan brenda një automjeti. Motori nuk është gjetur ende, ndërsa pjesët e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime në Drejtorinë e Hetimeve Kriminalistike.

Në një tjetër automjet u gjet edhe një kaskë, që sipas policisë dyshohet se i përkiste drejtuesit të motorit. Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera digjitale.

Shqiptari i kërkuar, i dënuar me mbi 10 vite burg

Sipas raportimeve të mediave greke, 48-vjeçari shqiptar dyshohet se ka lidhje të mëparshme me persona të botës së krimit në Greqi. Ai është identifikuar si drejtuesi i motorit dhe dyshohet se është larguar drejt Shqipërisë.

Ndaj tij thuhet se ekziston një urdhër arrest për një grabitje me armë të kryer në vitin 2023, ndërsa më herët është dënuar me më shumë se 10 vite burg për një tjetër grabitje. Autoritetet greke po shqyrtojnë mundësinë e lëshimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Sipas të njëjtave burime, ai dyshohet se në të kaluarën ka qenë pjesë e grupit të një prej drejtuesve të vrarë të të ashtuquajturës “Greek Mafia”.

Si ndodhi ekzekutimi në Glyfada

Ngjarja ndodhi në orët e para të 11 tetorit 2026. Një kalimtar gjeti 52-vjeçarin të rrëzuar pranë motorit të tij, në kryqëzimin e bulevardit Karamanli me rrugën Panaguli, në zonën e Golfit.

Fillimisht, ngjarja u dyshua si aksident rrugor, por gëzhojat e gjetura në vendngjarje zbuluan se bëhej fjalë për një atentat me armë zjarri.

Sipas hetimeve, dy persona që udhëtonin me motor iu afruan viktimës dhe njëri prej tyre hapi zjarr. I plagosuri humbi kontrollin e motorit dhe u rrëzua në rrugë. Autorët dyshohet se u kthyen sërish dhe qëlluan ndaj tij përpara se të largoheshin.

Në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja, ndërsa nga ekspertiza mjekoligjore rezultoi se 52-vjeçari ishte qëlluar disa herë me armë të kalibrit 9 mm. Arma e përdorur nuk është gjetur ende.

48-vjeçari i arrestuar në Agrinio u ndalua më 18 nëntor. Ai rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në një çështje droge dhe pjesëmarrjeje në organizatë kriminale në vitin 2014.

Ai akuzohet për bashkëpunim në vrasje me dashje dhe, pas dëshmisë para autoriteteve gjyqësore, është lënë në burg.

Hetimet vijojnë për kapjen e shqiptarit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personit të dytë që ndodhej në motor, i cili dyshohet se ishte ekzekutori që qëlloi me armë ndaj 52-vjeçarit.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.