Prej më shumë se një dekade, banorët e fshatit Zboq, në bashkinë Maliq, përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Pa një sistem të rregullt furnizimi, 17 familjet e këtij fshati detyrohen ta sigurojnë vetë ujin, duke e mbushur në burime të ndryshme dhe duke e transportuar deri në banesat e tyre. Banorët shprehen se rrjeti i ujësjellësit është në administrimin e tyre, por nuk kanë më mundësi financiare dhe teknike për ta mirëmbajtur. Për këtë arsye, ata kërkojnë që infrastruktura të kalojë në administrimin e ujësjellësit, në mënyrë që të garantohet furnizimi i rregullt me ujë.

Një nga pikat ku banorët furnizohen është burimi pranë teqesë së fshatit. Megjithatë, prurjet e pakta nuk arrijnë të plotësojnë nevojat e të gjitha familjeve. Kjo i detyron ata të kërkojnë ujë edhe në vende të tjera dhe ta grumbullojnë në kova e enë në oborret e banesave. Situata bëhet edhe më e vështirë gjatë dimrit, pasi me uljen e temperaturave uji ngrin.

Përveç mungesës së ujit, banorët ngrenë shqetësimin edhe për gjendjen e rrugëve të brendshme të fshatit. Sipas tyre, disa segmente kanë mbetur pa asfalt, ndërsa një lagje e tërë nuk është përfshirë në projektin e shtrimit. Ata pretendojnë se punimet kanë mbetur të papërfunduara gjatë kohës kur ndodheshin jashtë vendit dhe, pas kthimit, i kanë gjetur rrugët në gjendjen e mëparshme.

Banorët thonë se u janë drejtuar disa herë institucioneve përgjegjëse dhe kanë zhvilluar edhe protesta, por deri më tani nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete. Për 17 familjet e Zboqit, furnizimi me ujë të pijshëm dhe përfundimi i infrastrukturës rrugore vijojnë të jenë dy kërkesa të pazgjidhura, për të cilat kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: