
Një pikë në fushën e Arsenalit është e rëndësishme për Borussia Dortmundin, deklaroi trajneri Niko Kovac pas barazimit 1-1 në “Emirates” në Champions League. Sipas tij, rezultati konfirmon momentin e mirë të skuadrës gjermane, që kryeson edhe Bundesliga. Kovac e vlerësoi barazimin si një arritje të madhe për klubin, skuadrën dhe tifozët, raporton Telesport.
Trajneri kroat theksoi se nuk po ankohet për rezultatin, por vuri në dukje një episode të dyshimtë gjatë ndeshjes. Sipas tij, VAR duhej të kishte shqyrtuar një prekje të topit me dorë nga Gyokeres, pasi ia vlente të kontrollohej. “Mendoj se VAR duhej ta kishte shqyrtuar atë prekje të topit me dorë.
Ia vlente të kontrollohej”, u shpreh Kovac. Ai shtoi se gjyqtarët po përpiqen të ndërhyjnë më rrallë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ndërhyjnë kur është e nevojshme. Në një situatë të tillë, vijoi ai, duhet të ketë të paktën dikë në dhomën e VAR që të thotë: “Le ta shohim pak”.
Pavarësisht këtij episodi, Kovac e cilësoi pikën e fituar në Londër si të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të Dortmundit në Champions League.
