Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula tha se flamuri kuq e zi, me shqiponjën me dy krena, përfaqëson simbolin e shtetit shqiptar dhe të gjithë kombit shqiptar, kudo ku jeton populli i tij. Ajo kujtoi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, të udhëhequr nga Ismail Qemali, duke theksuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin, njoftoi Presidenca.
Presidentja tha se flamuri kuq e zi ishte bërë simbol i rezistencës dhe luftës çlirimtare të Kosovës. Ajo vuri në dukje se 28 Nëntori përkujton katër ngjarje të rëndësishme: Ditën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK së Adem Jashari, dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo nderoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi se lufta e UÇK së ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet. Duke iu referuar proceseve gjyqësore në Hagë ku përfshihen ish drejtues të UÇK së,
Presidentja Shiroka Pula tha se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta fshijë të drejtën e popullit të Kosovës për liri apo sakrificat mbi të cilat u ndërtua ajo liri. Presidentja uroi Shqipërinë për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur shpresën se flamuri kuq e zi së shpejti do të valojë në Bruksel.
Ajo bëri thirrje që flamuri të nderohet përmes punës së palodhur, dijes dhe përkushtimit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të ruajnë gjuhën, identitetin dhe kujtesën historike, dhe të mos harrojnë kurrë çmimin e lirisë.
Ajo theksoi se flamuri që valon sot është një trashëgimi që iu besua brezit të sotëm nga ata që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të. Në përfundim të fjalës së saj, ajo bëri thirrje për lidhje më të forta mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për integrim më të madh mes dy vendeve.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri ditën kur do të ngremë bashkë dollinë në Bruksel”, tha ajo.










