Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për grupin e akuzuar për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke kërkuar në total 121 vite burg për 10 të pandehurit.
Hetimet e ndjekura nga prokurori i posaçëm Adnan Xholi, kanë zbardhur skemën e trafikut të lëndës narkotike, që dyshohet se fshihej në ngarkesa me lëkurë gjedhësh të importuara nga Republika Domenikane.
Hetimet dokumentuan dyshimet për një rrjet kriminal me shtrirje ndërkombëtare, i cili bashkëpunonte me persona në Amerikën Latine për sigurimin dhe trafikimin e kokainës drejt Shqipërisë.
Për 10 të pandehurit, SPAK ka kërkuar këto dënime:
Aldi Zonja: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.
Artion Çaushllari: 15 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 10 vite.
Geis Sejfullai: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.
Ismail Abdurrahmani: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.
Jose Ramon Zakarias Vasquez: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.
Samuel Alfonso Serrano: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.
K. Birçe: 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite e 8 muaj.
H. L. Narvaez: 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite e 8 muaj.
Endi Sejdini: 12 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite.
Baki Huqi: 10 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 6 vite e 8 muaj.
Akuzat
Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez, dhe Geis Sejfullai, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Klajd Birçe, Hiëlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini, të akuzuar për veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Artjon Çaushllari (alias Gjika), i akuzuar për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal,, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës që përdorej nga i pandehuri, Baki Huqi, si dhe në lokalin, Bar “Tahiti”, në pronësi të të pandehurit, Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës), “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.
Klajd Birçe, Hiëlenn Ledezma Narvarez dhe Baki Huqi, të akuzuar për veprat penale: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024-8.2.2024, (në ambientet e banesës së përdorur nga i hetuari Baki Huqi, si dhe të lokalit Bar “Tahiti”, në pronësi të të hetuarit Baki Huqi, me vendodhje në fshatin Manzë Durrës), “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.
Geis Sejfullai, i akuzuar për veprën penale: “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Hetimet
Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024 me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhësh (me kripë).
Ngarkesa e ndarë në 20 paleta u nis me destinacion Portin e Durrësit në datën 17 korrik 2024 dhe një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe më pas ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë e përshtatur për ruajtjen e saj. Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, që mbërriti në Portin e Durrësit më datë 8 nëntor për të cilën u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.
Hetimi pati si indicie ndarjen e disa akteve nga hetimi i një tjetër çështjeje që mban datën 17 nëntor 2023 për një sasi lnde narkotike që u kap me pleh kimik në Frakull Fierit.
SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale.













