
Nelson Hysa kërkon të shkruajë historinë në boksin profesionist. Boksieri shqiptar ka një objektiv të qartë: të mposhtë Agit Kabayel, të fitojë titullin botëror të peshave të rënda në versionin ËBC dhe më pas të realizojë një nga ëndrrat e tij më të mëdha, përballjen me Tyson Fury.
Shqiptari i pamposhtur në karrierën profesioniste, me 25 fitore në po kaq ndeshje, do të zbresë në ring këtë të shtunë në Dyseldorf, ku do të sfidojë gjermanin Kabayel për titullin botëror. Statistikat e Hysës janë mbresëlënëse: 23 nga fitoret e tij kanë ardhur me nokaut, një tregues i fuqisë së madhe goditëse që e karakterizon.
Në një intervistë për “Sky Sports”, boksieri shqiptar ka treguar se nuk do të mbështetet vetëm te fuqia fizike, por edhe te një strategji e përgatitur posaçërisht për këtë përballje.
“Nokauti ka qenë pjesë e imja që nga dita e parë kur nisa boksin. Megjithatë, për duelin me Kabayel po përgatitem të zhvilloj sa më shumë raunde cilësore, sepse e di që përballë kam një boksier shumë të mirë, të fortë dhe serioz”, u shpreh Hysa.
Ai beson te fitorja dhe madje synon ta mbyllë përballjen përpara fundit të 12 raundeve.
“Kemi një plan dhe strategjinë tonë për të fituar. Po përpiqemi të japim maksimumin dhe besoj se mund ta mbyllim ndeshjen përpara raundit të 12-të. Dua të rris edhe më shumë përqindjen e fitoreve me nokaut”, deklaroi shqiptari.
Në prononcimin e tij, Nelson Hysa foli edhe për hierarkinë aktuale të boksit botëror në peshat e rënda. Sipas tij, Agit Kabayel nuk është emri më i fortë mes kampionëve aktualë.
Megjithatë, emri që ka një rëndësi të veçantë për Hysën është pikërisht Tyson Fury. Shqiptari nuk e fsheh admirimin për ish-kampionin britanik dhe shpreson që një ditë të ketë mundësinë të ndajë ringun me të.
“Kush nuk dëshiron të ndeshet me Tyson Fury? Ai është një legjendë, numri një në peshat e rënda. Është boksieri im i preferuar. E dua, më pëlqen gjithçka që bën, stili i tij, gjithçka”, tha Hysa.
Objektivi i parë, megjithatë, mbetet Agit Kabayel. Një fitore ndaj gjermanit do të ishte hapi më i madh i karrierës së boksierit shqiptar dhe mund t’i hapte rrugën sfidave edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.
