Teatri përtej skenës, Rita Gjeka sjell artin e interpretimit përmes mikrofonit të Radio Shkodrës

Kulturë | 6 minuta më parë

Prej gjashtë muajsh, aktorja “Mjeshtre e Madhe”, Rita Gjeka, po sjell teatrin në Radio Shkodra përmes interpretimit të prozave të autorëve gegë. Një mënyrë ndryshe për të afruar artin dhe letërsinë me publikun.

“Kena filluar një rubrikë ku lexohet gegnisht. Unë po lexoj gegnisht Stefan Çapalikun që larg teatrit nuk mundet me thënë se është. Unë e kam bërë shumë herët këtë sepse mua së pari më pëlqen radioja, e së dyti njerëzit kanë nevojë me ni gegnishten. Radio Shkodra është shumë e shtrenjtë jo vetëm për mua por për të gjithë popullin e Shkodrës”, tha Gjeka.

Aktorja dhe ish-drejtuesja e Teatrit “Migjeni” flet edhe për rëndësinë e tij në këtë ditë kur ai shënon 77 vite nga krijimi.

“Me këtë buxhet që teatri ka sot ka vetëm një difekt për mendimin tim. Pak njerëz ka, pak teatrantë, pak aktorë teatri. Me atë buxhet që ke do të paguash njerëz nga jashtë dhe ata nuk qëndrojnë në qytet, nuk promovohen vlerat e qytetit”, u shpreh aktorja.

Rita Gjeka vijon të jetë aktive edhe në kinematografi, teksa së fundmi ka përfunduar xhirimet e një filmi në Itali.

“Unë isha në Itali se fitova një audicion për të bërë një film. Filmi është italian, produksioni italian, regjisori italian, edhe roli italian. Që roli im ishte italian, e mora vesh kur shkova atje se unë mendova gjithmonë se më kanë thirrur për të bërë rolin e një shqiptareje në Itali”, tregoi aktorja.

Teatri, radioja dhe kinematografia mbeten pjesë e rrugëtimit artistik të Rita Gjekës, e cila prej dekadash vijon të jetë pranë publikut.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme