Të mërkurën, pakistanezi Zeeshan Ali u bë astronauti i parë i huaj që hyri në stacionin hapësinor kinez "Tiangong", duke shënuar një moment historik për ambiciet shkencore të vendit të tij dhe për përpjekjet e Pekinit për të zgjeruar diplomacinë e tij hapësinore. Ekuipazhi prej tre personash i misionit hapësinor "Shenzhou-24" hyri në "Tiangong" në orën 14:35, rreth gjashtë orë pasi u nis nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve "Jiuquan" në Kinën veriperëndimore, duke përdorur një raketë "Long March-2F". Piloti 40-vjeçar, i cili është pakistanezi i parë në orbitë, shërben si specialist i ngarkesës dhe pritet të qëndrojë në stacion për 5 deri në 10 ditë. Ekuipazhi i ri, që përfshin komandantin kinez Tang Hongbo dhe inxhinierin e fluturimit Ëu Yi, u prit me përqafime nga tre anëtarët e misionit "Shenzhou-23" që ndodhen aktualisht në stacion; ata kishin përgatitur edhe një tortë për të festuar. "Si anëtari i parë i huaj i ekuipazhit që hyn në Stacionin Hapësinor Kinez, jam jashtëzakonisht i emocionuar. Stacioni Hapësinor Kinez, ja ku po vij!", tha Ali në gjuhën kineze. Për t'u përgatitur për fluturimin, Ali u stërvit për shtatë muaj në Pekin, periudhë gjatë së cilës ndoqi kurse intensive të gjuhës kineze, mësoi këngë kineze dhe lexoi poezi kineze. Ai gjithashtu u ushtrua në kaligrafi dhe luajti tenis tavoline. Kina po e promovon "Tiangong", që në gjuhën kineze do të thotë "Pallati Qiellor", si një qendër për bashkëpunim ndërkombëtar, në një kohë kur Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, i udhëhequr nga NASA, përballet me mundësinë e daljes nga përdorimi deri në vitin 2030. Edhe pse qëndrimi i planifikuar i Ali është shumë më i shkurtër se rotacioni i zakonshëm gjashtëmujor për një astronaut kinez, ai është bërë shkak për festime të mëdha në Pakistan. "Ky nuk është thjesht udhëtimi i një astronauti, por udhëtimi i 240 milionë pakistanezëve. Është udhëtimi i brezit tonë të ri, i shkencëtarëve tanë dhe i ëndrrave tona", u shpreh kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif në një postim në platformën X.