Elisa Spiropali ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja e saj politike pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke theksuar se nuk ka bërë asgjë për të cilën duhet të ndihet e turpëruar. E pyetur nëse do të krijojë një lëvizje të re politike, ajo u shpreh se mbetet një socialiste e bindur dhe e majtë, ndërsa shtoi se do të vijojë betejën e saj brenda politikës.
Në deklaratën e saj, Spiropali kritikoi mënyrën se si u mor vendimi për përjashtimin e saj, duke pretenduar se 40 deputetë të grupit parlamentar socialist nuk e ngritën fare dorën për këtë vendimmarrje.
“As Kadri Hazbiu dhe as Koçi Xoxe nuk bënin këto që të mos fliste ai që akuzohej. Unë më shumë se të gjithë e kam ngritur dorën për të bërë beteja brenda mazhorancës. Kam mbajtur debatin brenda PS-së, me Berishën. Se ai këtë model do. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla që më shumë se legjitimitet shprehin arbitraritet të vendimmarrjes së pak njerëzve.”, tha ajo.
A do të krijojë lëvizje të re politike?
Spiropali: Jam një socialiste e bindur, e majtë, por e konsideroj veten një shqiptare të mirë, një patriote të këtij vendi. Nuk di që në detyrat e mia publike të mos kem bërë ndonjë detyrë. E kam përfaqësuar Shqipërinë mirë, atje ku meriton të përfaqësohet. Do ta bëj betejën time aty.
Për t’u larguar, duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, që vendimmarrja e tyre ka ndikuar në jetën e njerëzve, ata që kanë abuzuar me pushtetin apo tregojnë arrogancë në çdo shfaqje të tyre, ata që na kanë sjellë në këtë pikë ku deputetët e PS-së kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin.
Unë nuk kam arsye të largohem nga fronti, por u bëj thirrje të majtëve, socialistëve, progresistëve-demokratë, jo kthim pas në reminishencat e vitit 1974, por atyre që besojnë se PS-ja i ka rrënjët te Fan Noli dhe jo te Koçi Xoxe.
Çfarë lidhje kanë socialistët me këto akte dhe sjellje që nuk i bëjnë nder forcës politike ku unë kam dhënë fytyrën, jetën, gjithçka? Mbaj përgjegjësi për sa më takon. Kjo nuk diskutohet.
Ishte momenti që ta kuptonim me protestën e Flamingove. Ishte momenti për të kuptuar se pushteti mbahet nga besimi. Të kanë dhënë votën, por mund të të kthejnë shpinën dhe të mos të japin më besim.
Të majtë, progresistë, që duan ndryshimin e modelit, kjo nuk është çështje vetëm e një njeriu. Është një model politik që nuk njeh përfaqësimin, ndaj dalin në rrugë ata dhe thonë: Nuk na përfaqësoni. Ata njerëz nuk kanë guximin që t’i shohin në sy. 40 veta nuk e kanë ngritur dorën fare në grupin parlamentar për përjashtimin tim. Nuk kishte votim apo legjitimim, por vetëm vendimmarrje.













