AKU bllokon 79 ton produkte, mish pule nga Brazili dhe mielli nga Kosova kthehen pas
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka refuzuar hyrjen në Shqipëri të tre ngarkesave me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, për një sasi totale prej 79 tonësh. Bëhet fjalë për 54 ton mish pule të importuar nga Brazili dhe 25 ton produkte gruri me origjinë nga Kosova, të cilat nuk kanë plotësuar kërkesat për dokumentacionin dhe gjurmueshmërinë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga AKU, dy prej ngarkesave problematike u konstatuan në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, ndërsa rasti i tretë në pikën kufitare të Morinës. Pas kontrolleve, autoriteti ka vendosur refuzimin e tyre dhe kthimin në vendet e origjinës.
Në Durrës u bllokuan dy ngarkesa me gjithsej 54 ton mish pule nga Brazili, të importuara nga kompania ZICO sh.a. Gjatë verifikimit të dokumentacionit shoqërues, inspektorët konstatuan mospërputhje mes të dhënave të paraqitura në certifikata dhe informacionit të regjistruar në sistem. Për këtë arsye, malli nuk u lejua të hynte në tregun shqiptar dhe do të rikthehet në Brazil.
Ndërkohë, në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë u refuzua një tjetër ngarkesë, e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, me destinacion tregun shqiptar. Ajo përbëhej nga 7 ton miell gruri i tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkte të tjera të grurit, të identifikuara si “Hime gruri”.
Në këtë rast, kontrollet zbuluan mangësi të konsiderueshme në dokumentacionin dhe etiketimin e produkteve. Për pjesën më të madhe të miellit nuk ishte e lexueshme data e prodhimit dhe ajo e skadencës. Gjithashtu, përmbajtja e proteinave e shënuar në ambalazh nuk përputhej me të dhënat e deklaruara në dokumentacionin shoqërues.
Problemet nuk përfundonin me kaq. Në dokumentacion mungonte edhe numri i lotit (LOT), i domosdoshëm për gjurmimin e produktit, si dhe fleta e analizës për praninë e aflatoksinës, një substancë toksike që mund të shfaqet në produkte të caktuara ushqimore.
Shkelje të ngjashme u konstatuan edhe te produkti “Hime gruri”, ku mungesa e numrit LOT në etiketa e bënte të pamundur identifikimin dhe lidhjen e produktit me dokumentacionin përkatës.
5,277 ngarkesa të kontrolluara gjatë nëntorit
Përveç rasteve të refuzuara, AKU ka raportuar se gjatë muajit nëntor 2026 janë importuar dhe kontrolluar në Pikat e Inspektimit Kufitar gjithsej 5,277 ngarkesa. Prej tyre, 1,276 kanë qenë me origjinë shtazore, 2,834 me origjinë joshtazore dhe 1,167 kanë përfshirë produkte për mbrojtjen e bimëve dhe inpute bujqësore.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithashtu 167 mostra për analiza laboratorike. Sipas autoritetit, nga rezultatet e disponueshme deri më tani nuk është evidentuar asnjë rast jokonformiteti.
AKU njofton se të tria ngarkesat e refuzuara do të kthehen në vendet e origjinës, përkatësisht në Brazil dhe Kosovë. Autoriteti thekson se kontrollet në kufi synojnë të garantojnë respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe të parandalojnë futjen në tregun vendas të produkteve që nuk përmbushin kërkesat ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



