Prodhuam 78% më shumë energji, por sërish ishim importues neto

Pavarësisht rritjes së fortë të prodhimit vendas të energjisë elektrike gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, Shqipëria vijoi të ishte importuese neto e energjisë, ndërsa konsumi shënoi një rritje dyshifrore, veçanërisht nga familjet. Prodhimi neto vendas u rrit me 77.9% në periudhën korrik-shtator, duke arritur në 1,913 GWh, nga 1,075 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Gjithsesi , importet bruto të energjisë elektrike, përfshirë shkëmbimet, arritën në 998 GWh, ndërsa eksportet në 620 GWh. Bilanci i shkëmbimeve të energjisë elektrike rezultoi negativ në 377 GWh, kundrejt 948 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Importet ranë me 20.8% në bazë vjetore, ndërsa eksportet u rritën me 98.8%. Prodhimi vendas mbuloi rreth 83.5% të nevojave të vendit për energji elektrike, përfshirë humbjet në rrjet, kundrejt 53.1% një vit më parë.
Energjia elektrike në dispozicion arriti në 2,291 GWh, me një rritje vjetore prej 13.2%. Hidrocentralet publike dhanë kontributin kryesor në zgjerimin e prodhimit vendas. Prodhimi i tyre u rrit me 89%, duke arritur në 1,107 GWh dhe duke përbërë 57.9% të energjisë së prodhuar në vend.
Hidrocentralet private dhe koncesionare rritën prodhimin me 71.6%, në 305 GWh, duke zënë 15.9% të totalit. Prodhimi nga burimet e tjera të rinovueshme, ku përfshihen impiantet fotovoltaike, arriti në 501 GWh, me një rritje vjetore prej 60.8%.
Më shumë se një e katërta e energjisë elektrike të prodhuar në vend gjatë muajve të verës erdhi nga burime të rinovueshme të ndryshme nga hidrocentralet. Pesha e tyre në prodhimin total ishte 26.2%. Ndërkohë, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 14.3%, duke arritur në 1,942 GWh, nga 1,700 GWh një vit më parë. Familjet kryesuan rritjen e konsumit, duke përdorur 994 GWh energji elektrike, 18.3% më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2025. Konsumi i klientëve jofamiljarë, ku përfshihen industria, transporti, bujqësia dhe shërbimet, u rrit me 10.4%, duke arritur në 949 GWh.
Familjet përbënin 51.2% të konsumit final të energjisë elektrike, kundrejt 49.4% një vit më parë. Humbjet në rrjetin elektrik u rritën me 7.7%, duke arritur në 348.3 GWh. Megjithatë, pesha e tyre ndaj energjisë në dispozicion u ul në 15.2%, nga 16% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Humbjet në transmetim u rritën me 16.9%, ndërsa ato në shpërndarje me 6.2%. Humbjet teknike në rrjetin e shpërndarjes arritën në 246.3 GWh, nga 223.4 GWh një vit më parë, ndërsa humbjet joteknike u reduktuan me 10.4%, në 49.1 GWh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









