
E ardhmja e João Félix te Al Nassr mbetet e paqartë, me sulmuesin portugez që mund të rikthehet në futbollin europian. Interesimi për shërbimet e tij po rritet, ndërsa në garë janë futur Tottenham dhe Chelsea, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të tij.
Sipas raportimit të mediave, me referencë “4-4-2”, Tottenham po mendon të bëjë një lëvizje gjatë merkatos së janarit. Klubi londinez kërkon të përforcojë repartin ofensiv dhe e sheh Félix si një alternativë për të përballuar mungesat në sulm.
Nga ana tjetër, edhe Chelsea po monitoron situatën e futbollistit, ndërsa interesim për të ka shfaqur edhe Barcelona. Katalanasit po e ndjekin me vëmendje mundësinë e rikthimit të portugezit, i cili ka luajtur më parë në “Camp Nou”.
Megjithatë, një transferim në merkaton e janarit nuk duket i lehtë. Al Nassr nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e tij gjatë dimrit dhe ka vendosur një çmim prej rreth 45 milionë eurosh për kartonin e sulmuesit. Një shifër që e bën të vështirë realizimin e operacionit në këtë periudhë të sezonit.
Pavarësisht interesimit nga klubet e Premier League, portugezi duket se ka një preferencë të qartë për të ardhmen e tij. Sipas raportimeve, Félix do të mirëpriste një rikthim te Barcelona, duke e vendosur klubin katalanas përpara alternativave të tjera europiane.
Megjithatë, pengesë mbeten kushtet financiare dhe vështirësitë që mund të shoqërojnë realizimin e këtij transferimi.
Një tjetër faktor që ndikon në situatën e tij është kontrata me Al Nassr, e cila është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Për këtë arsye, klubi saudit ndodhet në një pozicion të favorshëm negociues.
