SPAK kërkon 133 vite burg për 10 të akuzuarit e laboratorit të drogës në Fushë-Krujë
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për dhjetë personat e akuzuar për përfshirje në një rrjet të dyshuar të trafikut dhe përpunimit të kokainës, që sillte lëndën narkotike nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Për të pandehurit janë kërkuar gjithsej 133 vite burg, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimet zbresin në 88 vite e 8 muaj.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi dyshohet se organizonte transportimin e kokainës nga Republika Dominikane drejt Shqipërisë, duke e fshehur atë në ngarkesa të deklaruara si lëkurë gjedhësh. Në dy ngarkesa të tilla u zbuluan rreth 90 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej afro 3.6 milionë eurosh.
Pretenca e Prokurorisë së Posaçme parashikon dënime të ndryshme, në varësi të rolit që dyshohet se ka pasur secili prej të pandehurve në aktivitetin kriminal.
Dënimet e kërkuara nga SPAK:
-
Artion Çaushllari – 15 vite burg, ose 10 vite pas gjykimit të shkurtuar.
-
Geis Sejfullai – 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Ismail Abdurahmani – 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Jose Ramon Zakarias Vasquez – 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Samuel Alfonso Serano – 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
K. Birce – 13 vite burg, ose 8 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Hiwlen Ledezma Narvaez – 13 vite burg, ose 8 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Endi Sejdini – 12 vite burg, ose 8 vite pas gjykimit të shkurtuar.
-
Aldi Zonja – 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
-
Baki Huqi – 10 vite burg, ose 6 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar.
Pretenca përfaqëson kërkesën e organit të akuzës dhe jo një vendim përfundimtar fajësie. Fjalën e fundit për përgjegjësinë penale dhe masën e dënimit do ta ketë gjykata.
Si u zbulua laboratori i kokainës në Fushë-Krujë
Operacioni për goditjen e grupit u zhvillua më 15 tetor, nën drejtimin e SPAK, pas hetimeve për aktivitetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Në kuadër të tij u ekzekutuan 10 urdhërarrestet e lëshuara nga Gjykata e Posaçme.
Në pranga përfunduan shtatë shtetas shqiptarë dhe tre shtetas të huaj, mes tyre dy venezuelianë dhe një kolumbian. Sipas të dhënave të bëra publike, të arrestuarit shqiptarë janë Geis Fejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurahmani dhe Baki Huqi. Ndërsa nga shtetasit e huaj, Hiwlen Ledezma Narvaez, Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 6.1 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, 36,270 euro, 357,046 lekë dhe 57 milionë peso kolumbiane, me një vlerë të përafërt prej 12,200 eurosh.
Në ambientet e laboratorit u gjetën gjithashtu 89.5 kilogramë përzierës të ngurtë, 50 kilogramë solucion të lëngshëm dhe 48 lëkura bagëtish, të cilat, sipas hetimeve, dyshohet se përdoreshin për transportimin e kokainës së papërpunuar nga Amerika Latine drejt Shqipërisë.
Përveç lëndëve dhe materialeve të dyshuara si pjesë e procesit të përpunimit, u sekuestruan edhe pajisje dhe preparate kimike që dyshohet se shërbenin për përpunimin dhe paketimin e drogës.
Hetuesit morën gjithashtu 22 telefona celularë, dy laptopë, shtatë karta bankare, 17 karta SIM, tre automjete dhe dokumente që konsiderohen me interes për çështjen.
Tashmë, pas përfundimit të hetimeve dhe paraqitjes së pretencës nga SPAK, çështja pritet të marrë drejtim në gjykatë, e cila do të vendosë përfundimisht mbi akuzat ndaj dhjetë të pandehurve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



