
Bayern Munich ka dalë me një komunikatë zyrtare për të sqaruar situatën shëndetësore të Jamal Musialës, pas diskutimeve dhe polemikave të ditëve të fundit në lidhje me problemet neurologjike të futbollistit gjerman.
Klubi bavarez ka bërë të ditur se Musiala iu nënshtrua për herë të parë ekzaminimeve mjekësore më 22 prill 2025, pasi kishte shfaqur simptoma të ngjashme me episode të mungesës së vetëdijes. Ky moment erdhi vetëm dy muaj pasi mesfushori kishte firmosur rinovimin e kontratës me Bayernin deri më 30 qershor 2030.
Në komunikatën e publikuar së bashku me agjencinë 11Wins, e cila menaxhon interesat e lojtarit, theksohet se ekzaminimet u kryen në koordinim të plotë me klubin dhe stafin e tij mjekësor, menjëherë pas shfaqjes së parë të simptomave neurologjike.
Ky sqarim vjen pas deklaratave të anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Bayernit, Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge, të cilët kishin ngritur publikisht mundësinë e një reduktimi të pagës së Musialës. Ata kishin shprehur gjithashtu dyshime nëse futbollisti do të mund të rikthehej në nivelin e tij të mëparshëm sportiv, pavarësisht problemeve neurologjike.
Pas polemikave të krijuara, drejtuesit kryesorë të klubit, mes tyre presidenti Herbert Hainer dhe drejtuesit ekzekutivë Jan-Christian Dreesen dhe Max Eberl, zhvilluan një takim me përfaqësuesit e futbollistit.
Biseda është cilësuar si konstruktive, ndërsa të dyja palët kanë rënë dakord se shëndeti i lojtarit duhet të jetë përparësia absolute.
“Shëndeti i futbollistit vjen përpara çdo gjëje tjetër për të dyja palët. Jamal Musiala do të marrë mbështetjen e plotë gjatë gjithë procesit të rikuperimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Gjithashtu, Bayern Munich dhe përfaqësuesit e mesfushorit kanë vendosur të vazhdojnë komunikimin në frymë bashkëpunimi dhe në mënyrë konfidenciale.
