BE: Koha për të investuar në Ballkan është tani, Shqipëria potencial në turizëm dhe data center

Rritja e investimeve dhe e konkurrueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun europian janë në fokus të Konferencës së Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet sot në Tiranë.
Aktiviteti synon të krijojë një platformë për të njehsuar prioritetet e përbashkëta dhe për të diskutuar sfidat që ndajnë vendet e rajonit me Bashkimin Europian, në një kohë kur integrimi ekonomik dhe tërheqja e kapitalit po marrin rëndësi strategjike.
Në hapje të konferencës, moderatori Ali Aslani theksoi se diskutimet do të përqendrohen te mundësitë për mobilizimin e investimeve dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomive të rajonit.
Të pranishëm në konferencë janë mbi 600 investitorë, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve financiare dhe vendimmarrës nga Bashkimi Europian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministrja e Ekonomisë Ibrahimaj: Të kalojmë nga furnizues të lëndëve të para në prodhues me vlerë të shtuar
Në fjalën hapëse të konferencës, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi potencialin e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë aktive e transformimit industrial dhe ekonomik të Evropës, duke theksuar nevojën për të kaluar nga dialogu te investimet konkrete.
“Këtë vit, synimi ynë është të kalojmë nga dialogu te vendimmarrja për investime, nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi konkret i kapitalit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Duke iu referuar zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, ministrja theksoi se vendi po krijon një bazë solide për të tërhequr investime me vlerë të shtuar, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese, transferimin e teknologjisë dhe krijimin e vendeve të punës me aftësi të specializuara.
Në këtë drejtim, Ministrja nënvizoi se gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3,6%, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara”, theksoi Ibrahimaj.
Një nga propozimet kryesore të prezantuara nga ministrja në këtë konferencë ishte shqyrtimi, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, i mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe atyre prodhuese të rajonit, duke i lidhur me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Si një fushë me potencial të veçantë u evidentuan lëndët e para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm.
“Ambicia jonë është të kapërcejmë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojmë aktivitete industriale me vlerë të shtuar më të lartë, duke përfshirë përpunimin, prodhimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe riciklimin”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj propozoi nisjen e një vlerësimi të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët rajonalë, për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare, me qëndrueshmëri tregtare.
Në fokus të fjalës së ministres ishte edhe nevoja për diversifikimin e burimeve të financimit, përtej kreditimit tradicional bankar, përmes zhvillimit të kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe instrumenteve alternative që mbështesin kompanitë inovative dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave evropianë për mbështetjen e startup-eve në teknologjitë e avancuara, ndarjen e riskut dhe financimin e infrastrukturës digjitale dhe energjetike.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, sipas ministres, është rritja e rolit të shërbimeve me vlerë të shtuar, si inxhinieria, zhvillimi i programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistika, të cilat krijojnë mundësi për zgjerimin e eksporteve dhe përfshirjen e bizneseve shqiptare në zinxhirët evropianë të vlerës.
Në këtë kontekst, ajo nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive profesionale dhe digjitale në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e industrisë.
Duke vënë theksin te dimensioni rajonal i investimeve, ministrja u ndal te Plani i Rritjes i BE-së dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, si instrumente që ndihmojnë në reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe krijimin e një tregu më të integruar për bizneset e rajonit.
“Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj ftoi investitorët të njohin më nga afër potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të rajonit, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë një partnere e besueshme në këtë proces.
“Kjo konferencë është një mundësi për të dëshmuar se çfarë mund t’i ofrojë rajoni ynë Evropës që sot”, përfundoi ministrja.
Drejtore e Përgjithshme e DG GROW në Komisionin Europian Jorna: Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani
Kerstin Jorna, Drejtore e Përgjithshme e DG GROË në Komisionin Europian, përcolli mesazhin se momenti për të investuar në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, është tani. Ajo theksoi se rajoni ka potencial të bëhet një nga hapësirat ku do të ndërtohet vala e ardhshme e rritjes ekonomike europiane.
“Ne duam që paratë tuaja të punojnë në Shqipëri. Koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani”, u shpreh Jorna, duke nënvizuar se në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks, të karakterizuar nga tensionet tregtare dhe përdorimi i tarifave si instrument presioni, zgjerimi i Bashkimit Europian përbën një prioritet strategjik.
Sipas saj, zgjerimi do të krijonte një fuqi më të madhe ekonomike europiane, më të aftë për t’u përballur me sfidat globale. Krizat e viteve të fundit, përfshirë pandeminë COVID-19 dhe luftën në Ukrainë, kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e ekonomisë europiane. Ndërkohë, integrimi i tregjeve dhe rritja e numrit të konsumatorëve përbëjnë mundësi të reja për bizneset.
Jorna theksoi se Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor dhe se tregtia me vendet e rajonit është rritur mesatarisht me 5% nga viti në vit.
Ajo vuri në dukje se, ndërsa qeveritë kanë përgjegjësinë të ndërmarrin reformat e nevojshme, janë bizneset ato që i kthejnë këto reforma në investime, vende pune dhe mundësi konkrete zhvillimi. Në këtë drejtim, Komisioni Europian parashikon një sërë programesh për të mbështetur sektorët me perspektivë zhvillimi, përfshirë krijimin e kapaciteteve të përbashkëta industriale dhe zhvillimin e teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale, në qytete të rajonit dhe të Europës.
Jorna u ndal edhe te instrumentet që Bashkimi Europian po vë në dispozicion të bizneseve të rajonit, duke i cilësuar ato si një rrugë për të lehtësuar investimet dhe për të forcuar lidhjet ekonomike me tregun europian.
“Ne dëshirojmë që instrumentet tuaja të shërbejnë si një rrugëtim për investime. Është një mënyrë e mirë për të bërë biznes me Europën dhe për të bërë biznes në Europë”, u shpreh ajo.
Sipas Jornës, një nga mundësitë që po shqyrtohet është krijimi i një tregu të integruar për një ose dy sektorë të caktuar, përmes negociimit të marrëveshjeve që do të mundësonin lëvizjen e mallrave drejt Bashkimit Europian pa kontrolle shtesë, në kuadër të zinxhirëve të përcaktuar të furnizimit.
Ajo bëri të ditur se një nga sektorët ku mund të përqendrohen këto përpjekje është elektronika, me synimin për të avancuar këtë proces deri në fund të vitit. Jorna theksoi se Komisioni Europian po punon për këtë nismë dhe se angazhimi i bizneseve të rajonit mund të ndihmojë në përshpejtimin e saj.
Kryetar i Berlin Global Dialogue: Shqipëria ka potencial për investime në turizëm dhe data center, por ndalni largimin e trurit
Lars-Hendrik Roller, themelues dhe kryetar i Berlin Global Dialogue, vlerësoi se Shqipëria paraqet tregues pozitivë makroekonomikë, të cilët mund të shërbejnë si avantazh për tërheqjen e investimeve private. Ai theksoi rëndësinë e kapitalit privat për të ardhmen ekonomike të Europës dhe vuri në dukje se konferenca është një mundësi për të nxitur angazhimin e investitorëve.
Sipas tij, rritja ekonomike prej rreth 4%, ulja e borxhit publik dhe e deficitit buxhetor, si dhe niveli relativisht i ulët i inflacionit krijojnë një mjedis pozitiv për investimet. Ai vlerësoi gjithashtu pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe qëndrueshmërinë e situatës makroekonomike si elemente që rrisin potencialin e vendit për të tërhequr kapital.
Megjithatë, Roller ngriti pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të kësaj rritjeje. Sipas tij, Shqipëria duhet të adresojë sfida strukturore, veçanërisht largimin e trurit dhe krijimin e vendeve të punës cilësore, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të përkthehet në mundësi afatgjata për fuqinë punëtore dhe të mos mbështetet vetëm te treguesit pozitivë makroekonomikë.
“Shqipëria ka mundësi të shumta për të zhvilluar investimet në turizëm, në qendrat e të dhënave (data center), si dhe në dixhitalizim dhe inteligjencë artificiale. Pavarësisht sfidave që ka, vendi ofron potencial të konsiderueshëm për investime në këta sektorë”, pohoi ai.
Konferenca dyditore synon të shërbejë si platformë për identifikimin e mundësive të reja të investimit, forcimin e partneriteteve ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në ekonominë evropiane. Programi përfshin prezantime të startup-eve, diskutime me investitorë, takime biznesi B2B dhe prezantimin e instrumenteve të reja të financimit dhe mbështetjes nga institucionet evropiane dhe financiare ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









