E mërkurë, 25 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
“Egërsohet” Spiropali: Le të bëjnë 150 kallëzime në SPAK, nuk shantazhohem!
Lajme

“Egërsohet” Spiropali: Le të bëjnë 150 kallëzime në SPAK, nuk shantazhohem!

Elisa Spiropali ka reaguar ndaj pyetjeve për kallëzimet e bëra në SPAK, përfshirë raportimet mbi një procedim që lidhet me një restorant në pronësi të bashkëshortit të saj. Deputetja socialiste deklaroi se nuk i trembet asnjë kallëzimi dhe se nuk ka asgjë për të fshehur, ndërsa akuzoi se po tentohet të ushtrohet presion ndaj saj për shkak të qëndrimeve politike.

Gjatë një konference për mediat, Spiropali u shpreh se numri i kallëzimeve nuk përbën shqetësim për të, duke këmbëngulur se beteja që ka ndërmarrë nuk lidhet me interesa personale, por me atë që e cilëson si përdorim të institucioneve për të kontrolluar dhe heshtur zërat kundërshtues.

“Le të bëjnë 150 kallëzime, sa të duan. Dhe mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Kallëzimi është një gjë, mund të bëjnë sa të duan, sepse unë nuk kam asgjë për të fshehur fare. Këtë betejë e kam bërë sepse nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh”, deklaroi Spiropali.

E pyetur në mënyrë specifike nëse një restorant në zonën e Bllokut, që lidhet me bashkëshortin e saj, është objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme, deputetja nuk dha detaje konkrete. Ajo e cilësoi zhurmën e krijuar rreth një kallëzimi anonim si të pabazuar në debatin që ka ngritur publikisht.

Spiropali theksoi se për çështjet administrative, tregtare apo të tjera ekzistojnë gjykata dhe institucione përgjegjëse, ndërsa kundërshtimi i saj, sipas deklaratës, lidhet me përdorimin e institucioneve si mjete presioni.

“Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe çdo lloj qëndrese”, u shpreh ajo.

Në vijim, ish-kryetarja e Kuvendit kritikoi mënyrën se si, sipas saj, është zgjedhur të trajtohen pakënaqësitë dhe kundërshtimet në vend. Ajo vuri përballë presionit institucional nevojën për dialog, dëgjim të qytetarëve dhe gjetje zgjidhjesh politike.

Spiropali foli edhe për përvojën e saj si drejtuese politike në disa qarqe, duke pranuar se ka përgjegjësitë e veta, por duke kundërshtuar modelin ku drejtuesit politikë, sipas saj, kontrollojnë vendimmarrje që duhet të jenë të pavarura.

“O do të zgjedhim më shumë demokraci, o autokraci. O liri, o kontroll”, deklaroi ajo.

Pavarësisht rezervave të saj ndaj mënyrës se si përdoren institucionet, Spiropali u përpoq të ndajë SPAK-un nga përplasja politike, duke e cilësuar Prokurorinë e Posaçme si një aset të rëndësishëm për Shqipërinë, që duhet mbrojtur nga ndikimi politik.

Ajo kërkoi që institucionit t’i garantohen kushtet për të ushtruar detyrën dhe kundërshtoi përdorimin e emrit të tij në sulme politike dhe mediatike.

“SPAK-u është një aset i çmuar i Shqipërisë. Patjetër që duhet mbrojtur. Është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik”, u shpreh Spiropali.

Spiropali këmbëngul se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj, ndërsa hedh poshtë çdo përpjekje për ta vënë nën presion përmes kallëzimeve apo çështjeve që mund të shqyrtohen nga institucionet e drejtësisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.