“Jam e para grua e përjashtuar”, Spiropali pas largimit nga grupi i PS-së nuk heq dorë nga mandati: Të hapet gara pas 17 vitesh, s’ka kryetar të përjetshëm

25/11/2026 12:00

Elisa Spiropali ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati i saj i deputetes, pasi, sipas saj, ka dhënë kontribut për Partinë Socialiste.

Ajo tha se socialistët e duan, duke shtuar se, nëse duhet të matet popullariteti, atëherë i sfidon me hapjen e garës brenda PS-së, pas 17 vitesh.

“Nuk e di a më do apo jo Edi Rama, unë di që më duan socialistët, sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër. Jam një e majtë, një socialiste, një progresiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duhet një garë, atëherë të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Ne nuk kemi kryetar të përjetshëm, sado ta duam, sado i mirë të jetë, sado të ketë bërë për vendin. Statuti nuk është Bibël…

Ata që kanë hequr statutin flasin sot për statut? Atëherë, rregulla të përbashkëta. U respektua në ndonjë pikë statuti në lidhje me mua apo të tjerë?! Nuk heq dorë nga mandati”, tha ajo.

Ndërkohë, më herët Spiropali u shpreh se është e para grua që përjashtohet nga grupi parlamentar i PS-së, por se këtë e merr si ‘dekoratë’.

Top Channel