Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ishte në qendër të bisedës mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe ministrit gjerman të Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum.

Tabaku ndau në rrjetet sociale detaje nga takimi, ku vuri theksin te rëndësia e reformave për qytetarët shqiptarë, por edhe te roli i Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.

“Me Gunther Krichbaum , ministër gjerman i Shtetit për Europën. Shkëmbyem mendime mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për Shqipërinë, ky proces merr kuptim kur reformat sjellin ndryshime që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme. Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim”, shkroi Tabaku.

Ky është takimi i dytë i deputetes demokrate me përfaqësues të qeverisë gjermane në dy ditë. Një ditë më parë, Tabaku u takua me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul. Përveç integrimit europian, me të diskutoi edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjen e më shumë investimeve gjermane në Shqipëri.

Edhe në atë takim, Tabaku u ndal te nevoja për zbatimin e reformave, duke theksuar se forcimi i sundimit të ligjit u jep bizneseve më shumë siguri për të investuar.