Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë për Erlis Dukën, duke e dënuar me 28 vite burg për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko.
Në vendimin e mëparshëm, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur të pafajshëm Erlis Dukën, por pas shqyrtimit të çështjes në Apel, trupa gjykuese ka vendosur ta shpallë fajtor dhe ta dënojë me 28 vite heqje lirie.
Dosja lidhet me një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të viteve të fundit, ekzekutimin e Santiago Malkos, i vrarë rreth shtatë vite më parë. Për këtë ngjarje, Gjykata e Posaçme kishte dhënë gjithsej 130 vite burg për pesë të pandehur.
Leonard Duka, i cilësuar nga prokuroria si porositës dhe organizator i vrasjes, u dënua me 30 vite burg, ndërsa vëllai i tij Erlis Duka u shpall i pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë.
Për vrasjen e Malkos u dënuan gjithashtu Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltion Lona, me nga 25 vite burg secili.
Leonard Duka u arrestua në shkurt të vitit 2024 në Belgjikë dhe më pas u ekstradua në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.
Ndërkohë, në procese të tjera gjyqësore janë dënuar edhe persona të tjerë të lidhur me këtë ngjarje. Blendi Teta u dënua përfundimisht me 25 vite burg, ndërsa Ilir Selmani mori 28 vite burg nga Apeli pas rishqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Lartë.













