Ushtria amerikane pritet të kryejë këtë të mërkurë një shpërthim të kontrolluar të rreth pesë tonë eksplozivëve të kontaminuar në një fabrikë municionesh në Iowa, SHBA. Operacioni, i cili është kundërshtuar nga banorët dhe organizatat mjedisore për shkak të rreziqeve të mundshme për shëndetin dhe mjedisin, ishte shtyrë për disa ditë për shkak të një beteje ligjore.

Shpërthimi është planifikuar të zhvillohet në orën 09:00 sipas kohës lokale, në uzinën e prodhimit të municioneve ushtarake në Middletown, një komunitet i vogël me rreth 350 banorë, në perëndim të Çikagos. Në këtë objekt ruhen rreth 68 fuçi me eksplozivë që përmbajnë azid plumbi, një përbërës kimik shumë i ndjeshëm, i përdorur në prodhimin e municioneve që prej Luftës së Parë Botërore. Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), lënda shpërthyese është përkeqësuar gjatë rreth 20 viteve të ruajtjes, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një shpërthimi aksidental.

Frikë për përhapjen e pluhurit toksik

Megjithëse ushtria amerikane argumenton se shpërthimi i kontrolluar është i nevojshëm për të shmangur një incident të pakontrolluar, banorët dhe grupet mjedisore kanë shprehur shqetësime për pasojat që mund të ketë operacioni. Frika kryesore lidhet me krijimin e një reje toksike me grimca plumbi, e cila mund të përhapet në zonat përreth, duke ndotur tokën bujqësore, hapësirat publike, këndet e lojërave dhe zonat e banuara. Sipas hartave të publikuara nga ushtria amerikane të martën, reja e mundshme mund të përhapet deri në 160 kilometra, duke prekur pjesë të juglindjes së Iowas dhe verilindjes së Misurit. Ndikimet më të rënda parashikohen në një zonë prej rreth 78 kilometrash katrorë përreth uzinës.

Shpërthimi ishte shtyrë javën e kaluar, pasi organizatat mjedisore iu drejtuan Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar lejen emergjente të dhënë ushtrisë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit. Organizatat argumentuan se banorët nuk ishin informuar në kohën dhe mënyrën e duhur për rreziqet e operacionit. Ato gjithashtu kërkuan prova se shpërthimi i kontrolluar ishte alternativa më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik. Megjithatë, të hënën, Gjykata e Apelit e Qarkut të Tetë hoqi urdhrin e përkohshëm që pengonte zhvillimin e operacionit. Në vendimin e saj, gjykata pranoi se shpërthimi i planifikuar paraqiste rreziqe reale, por vlerësoi se rreziku nga një shpërthim aksidental i eksplozivëve ishte edhe më i madh. “Mosveprimi nuk është më një opsion”, deklaroi të martën gjeneralmajori Eric Shirley, drejtuesi i operacionit, duke shtuar se do të ishte e papërgjegjshme të mos zbatohej plani i miratuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb