Policia shqiptare ka kërkuar informacion nga autoritetet e Kosovës dhe Suedisë në kuadër të hetimeve për atentatin e dyfishtë në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani. Hetuesit po përqendrohen te gjurmimi i automjetit tip Volvo, të cilin autorët e përdorën për të kryer krimin dhe më pas e dogjën në fshatin Dërmenas.

Sipas hetimeve, automjeti ishte denoncuar i vjedhur në Suedi në vitin 2023 dhe dyshohet se ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës, nga Kosova. Policia dyshon se në këtë proces mund të kenë qenë të përfshirë edhe shtetas kosovarë, të cilët mund të kenë bashkëpunuar për transportimin e mjetit drejt Shqipërisë.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë kërkuar nga pala kosovare të dhëna mbi hyrjen e automjetit në Shqipëri, ndërsa nga autoritetet suedeze informacion mbi rrethanat e vjedhjes, historikun e mjetit dhe personat që mund të kenë qenë të përfshirë.

Sigurimi i këtyre informacioneve konsiderohet i rëndësishëm për hetuesit, pasi mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë organizuar dhe ekzekutuar atentatin, si dhe të bashkëpunëtorëve të mundshëm. Automjeti Volvo u gjet i djegur në Dërmenas të Fierit, pas atentatit. Brenda tij policia zbuloi edhe katër armë zjarri, tre prej të cilave të pajisura me silenciator.

Ndërkohë, pista kryesore ku janë përqendruar hetimet mbetet ajo e hakmarrjes. Selami Hasani, i njohur edhe si Sel Çami, kishte vetëm 20 ditë që kishte lënë qelinë e burgut, pasi kishte vuajtur dënimin për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja. Për këtë ngjarje ai ishte dënuar me 25 vite burg. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e atentatit, identifikuar autorët dhe përcaktuar personat e tjerë që mund të kenë ndihmuar në organizimin e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: