
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po hesht për zhvlerësimin e euros dhe dollarit ndaj lekut, të cilin e cilësoi si një faktor që po dëmton ekonominë. Gjatë një deklarate, ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si narkoshtet, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të opozitës të vijojnë denoncimin e saj.
Berisha pretendoi se kursi i këmbimit të lekut, i cili sipas tij është 50% më i ulët në raport me euron dhe dollarin krahasuar me vitin 2013, po shkakton dëme të vazhdueshme në ekonomi. Ai kritikoi mungesën e reagimit publik për këtë çështje dhe tha se opozita duhet të ngrejë më shumë zërin.
Kreu i PD-së u ndal edhe te protestat dhe ndërhyrjet e policisë ndaj të rinjve, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama me paralajmërimin se përgjigjen për veprimet e qeverisë do ta japin qytetarët.
“Edhe njëherë i them Edi Ramës se i fundit do të flasë sovrani. Ndaj dhe thyej sa të duash kocka të rinjsh aty, por përgjigjen do ta marrësh siç e meriton”, deklaroi Berisha.