Lajmi i fundit

LIVE/ Mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

U plagos në sy gjatë protestës nga plumbat e gomës së policisë, Erion Vishkulli paraqitet në Prokurori

13:12, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

26-vjeçari Erion Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur gjatë protestave të nëntorit është paraqitur mesditën e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Tiranës.

Vishkulli pritet të japë dëshminë e tij, lidhur me atë se çfarë ndodhi dhe plagosjen e tij në sy nga plumbat e gomës së Policisë gjatë protestës studentore.

Vishkulli pritet të merret në pyetje nga grupi hetimor për të sqaruar vendndodhjen e tij në momentin e plagosjes, çfarë kishte vënë re në zonë dhe nëse ka arritur të identifikojë efektivin e policisë që dyshohet se ka qëlluar me plumba gome në drejtim të protestuesve.

26-vjeçari pritet të dorëzojë gjithashtu pranë Prokurorisë dokumentacionin dhe raportet mjekësore lidhur me dëmtimin e pësuar dhe ndërhyrjen kirurgjikale që kreu në Itali. 

Një nga pikëpyetjet kryesore që mbetet për t’u sqaruar është natyra e objektit që ka dëmtuar syrin e të riut. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një plumb gome apo një sferë metalike, e cila kishte mbetur brenda syrit të tij.

Ndërkohë, identifikimi i efektivit të policisë që mund të ketë shkaktuar plagosjen paraqitet i vështirë për grupin hetimor, për shkak të kaosit dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë tubimit të 24 tetorit.

Dëshmia e Erion Vishkullit dhe dokumentacioni mjekësor pritet të jenë elementë të rëndësishëm për hetimin, që synon të sqarojë rrethanat e plagosjes dhe përgjegjësitë për ngjarjen.

I riu iu nënshtrua më herët dy ndërhyrjeve kirurgjikale në syrin e majtë në spitalin ‘Gemelli’ në Romë, ndërsa një ndërhyrje e tretë pritet të jetë vendimtarë gjatë muajve në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco