Shqipëria synon të kalojë nga mbledhja e të dhënave të fragmentuara në një sistem të integruar statistikor, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Kështu bëri të ditur zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gjatë një aktiviteti të organizuar nga INSTAT në “Europe House”, me rastin e vizitës së parë në Shqipëri të drejtoreshës së përgjithshme të Eurostat, Mariana Kotzeva.

Në fokus të diskutimeve ishte e ardhmja e statistikave të popullsisë, duke nisur nga të dhënat e Censit 2023 dhe mundësitë për ndërtimin e një sistemi modern statistikor.

Koçiu e vuri theksin te rëndësia që kanë të dhënat e sakta në hartimin e politikave që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.

“Përtej statistikave, sot me Eurostat, INSTAT, Komisionin Europian dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare ndamë vizionin për një Shqipëri që njeh me saktësi ritmin e ndryshimeve të saj dhe ndërton mbi të dhëna të besueshme politika publike që u përgjigjen më mirë nevojave dhe zhvillimeve të shoqërisë”, u shpreh Koçiu.

Vizita e Kotzevës në Shqipëri vjen në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE dhe synon forcimin e sistemit kombëtar të statistikave, si dhe të bashkëpunimit mes INSTAT-it dhe Eurostat-it.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:49
Sejko takim me drejtoreshën e Eurostat-it, vlerësohet përparimi i Shqipërisë në përafrimin e statistikave me BE-në

Eurostat vlerëson se statistikat shqiptare për bilancin e pagesave dhe investimet e huaja kanë një shkallë të lartë përputhshmërie me standardet evropiane. Vlerësimi u bë nga drejtoresha e Përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, gjatë një takimi këtë të mërkurë me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Në qendër të bisedës ishin përgatitjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Sistemit Statistikor Evropian, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.

Sejko vlerësoi ndihmën që Eurostat i ka dhënë ndër vite Bankës së Shqipërisë për përafrimin e statistikave monetare dhe financiare me standardet evropiane. Përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, tha ai. 

Në takimin me Kotzevën morën pjesë edhe drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, dhe zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.