Shqipëria ka regjistruar një rënie të ndjeshme të hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë muajit tetor 2026, me gjasë di pasojë e efektit të protestave, ndërsa ecuria e përgjithshme për 10-mujorin vijon të mbetet pozitive. Në të njëjtën kohë, shqiptarët kanë shtuar udhëtimet jashtë vendit, si në terma mujorë, ashtu edhe për periudhën janar-tetor.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë muajit tetor në territorin shqiptar janë regjistruar 1.457.940 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, me një rënie prej 7,6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Hyrjet e të huajve bien me 12,5% në tetor
Gjatë tetorit 2026, në Shqipëri janë regjistruar 795.503 hyrje të shtetasve të huaj, nga 908.642 në tetor të vitit 2025, duke shënuar një rënie prej 12,5%.
Në terma absolutë, Shqipëria ka regjistruar 113.139 hyrje më pak të shtetasve të huaj krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tkurrja e flukseve të shtetasve të huaj në tetor përbën një sinjal negativ për ecurinë e turizmit jashtë sezonit veror, në një kohë kur zgjatja e sezonit turistik mbetet një nga objektivat kryesore të industrisë.

Mbi 11,5 milionë hyrje të të huajve në 10 muaj
Pavarësisht rënies së regjistruar në tetor, të dhënat kumulative për periudhën janar-tetor 2026 tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri vijojnë të jenë në rritje.
Në 10 muajt e parë të vitit janë regjistruar 11.525.894 hyrje të shtetasve të huaj, kundrejt 11.137.328 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, me një rritje prej 3,5%.
Në total, Shqipëria ka regjistruar 388.566 hyrje më shumë të shtetasve të huaj krahasuar me 10-mujorin e vitit të kaluar.
Numri i përgjithshëm i hyrjeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj gjatë periudhës janar-tetor arriti në 18,93 milionë, me një rritje vjetore prej 4,2%.
Shqiptarët shtojnë udhëtimet jashtë vendit
Ndryshe nga ecuria e hyrjeve të shtetasve të huaj, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit kanë vijuar të rriten gjatë muajit tetor.
Sipas INSTAT, gjatë këtij muaji janë regjistruar 692.374 dalje të shtetasve shqiptarë, nga 659.405 në tetor të vitit 2025, me një rritje prej 5%.
Edhe për periudhën janar-tetor 2026, tendenca mbetet në rritje. Në 10 muajt e parë të vitit janë regjistruar 7.553.304 dalje të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, kundrejt 7.197.821 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja vjetore është 4,9%, ose 355.483 dalje më shumë.
INSTAT evidenton mospërputhje në të dhënat e detajuara
Në publikimin për muajin tetor, INSTAT bën të ditur se, për shkak të disa ndryshimeve në raportimin e të dhënave nga burimi administrativ, janë evidentuar mospërputhje në disa prej treguesve të detajuar të statistikave mbi lëvizjet e shtetasve.
Për këtë arsye, institucioni ka vendosur që përkohësisht të publikojë vetëm të dhënat e agreguara, deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe harmonizimit të serive kohore.
Të dhënat e publikuara nuk mundësojnë kështu një analizë sipas vendeve të origjinës së shtetasve të huaj apo qëllimit të udhëtimit.
INSTAT sqaron gjithashtu se statistikat e hyrjeve dhe daljeve pasqyrojnë numrin e kalimeve kufitare dhe jo numrin e personave unikë, pasi i njëjti shtetas mund të regjistrohet disa herë gjatë periudhës së raportimit. /ekofin.al


