“Gjyshja duroj, nana heshti, unë bërtas” ishte njëri nga mbishkrimet që u mbajtën në duart e protestuesve në protestën e sotme në Prishtinë, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm kundër dhunës ndaj grave dhe heshtjes që ndër breza ka shoqëruar këtë fenomen.

Me këtë thirrje simbolike, protestuesit shprehën vendosmërinë për të mos pranuar më dhunën, për të mos heshtur përballë padrejtësive dhe për të kërkuar fundin e vrasjeve të grave.


Protesta u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti”, nën organizimin e Rrjetit të Grave të Kosovës, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën për të kërkuar drejtësi për gratë e vrara dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

Ndër kërkesat kryesore të protestës u theksuan njohja dhe kriminalizimi i femicidit në Kodin Penal, si dhe krijimi i mekanizmit Femicide Watch, i cili do të mundësonte monitorimin dhe analizimin e rasteve të vrasjes së grave.

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, u bë e ditur se nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë janë vrarë 33 gra. /Telegrafi/