Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali kërkon sistem proporcional me lista të hapura: Ky model nuk na çon përpara



Deputetja Elisa Spiropali ka kërkuar ndryshimin e sistemit elektoral në Shqipëri, duke propozuar sistem proporcional me lista të hapura dhe marrëveshje politike mes forcave që kërkojnë ndryshim. Ajo u shpreh se modeli aktual nuk e çon vendin përpara dhe bëri thirrje për bashkimin e socialistëve, demokratëve dhe qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar.

Duke iu referuar përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Spiropali tha se mbetet e hapur për komunikim me të gjithë, ndërsa u bëri thirrje atyre që, sipas saj, i mbyllën dyert në mënyrë arbitrare, t’i hapin sërish.

“Duhet të ketë garë të barabartë për të gjitha forcat politike. Të ketë sistem proporcional me lista të hapura, për të krijuar hapësirat e nevojshme. Të gjitha betejat që Shqipëria të shkojë në rrugë të mbarë do t’i bëjmë. Më shumë liri, më pak kontroll”, deklaroi Spiropali.

Ajo kërkoi bashkimin e forcave që mbështesin ndryshimin e sistemit politik, elektoral dhe ekonomik, duke theksuar se është e gatshme të takohet me përfaqësues të të gjitha palëve politike.

“Do të takojmë këdo, do të takojmë të gjithë. Socialistë, ata që nuk ndihen të përfaqësuar, demokratë. Sot është momenti kur shkon përtej misionit tonë. I kam dyert e hapura. Ata që i mbyllën dyert arbitrarisht, le t’i hapin”, u shpreh ajo.