Argjendi po përjeton një nga goditjet më të forta në historinë e tregtimit të metaleve të çmuara, duke humbur rreth dy të tretat e vlerës në më pak se dhjetë muaj.
Nga rekordi historik prej 121,60 dollarësh për ons, i regjistruar më 29 janar 2026, çmimi i argjendit ka zbritur këtë të mërkurë në 40,23 dollarë, sipas të dhënave të raportuara nga Reuters.
Vetëm gjatë së martës, kontratat e argjendit në bursën COMEX të Nju Jorkut humbën 5,5% të vlerës, duke prekur nivelin më të ulët që prej gushtit të vitit 2025.
Përmasat e rënies tejkalojnë ato të regjistruara gjatë krizës financiare globale të vitit 2008, kur argjendi humbi mbi 55% të vlerës, si dhe gjatë shpërthimit të pandemisë në vitin 2020, kur çmimi ra me afro 40%.
Shembja vjen pas një rritjeje spektakolare prej 147% gjatë vitit 2025, e nxitur nga blerjet masive të investitorëve dhe spekulimet në tregjet financiare.
Forcimi i dollarit amerikan, pritshmëritë për rritjen e normave të interesit nga Rezerva Federale dhe tërheqja e investitorëve nga fondet e lidhura me argjendin kanë ushtruar presion mbi çmimet.
Situata është përkeqësuar edhe nga dobësimi i kërkesës industriale. Sipas Silver Institute dhe kompanisë kërkimore Metals Focus, kërkesa globale për argjend pritet të bjerë me 5% gjatë vitit 2026, ndërsa ajo industriale me 3%.
Prodhuesit e paneleve diellore kanë përshpejtuar zëvendësimin e argjendit me materiale alternative, ndërsa kërkesa për bizhuteri prej argjendi parashikohet të tkurret me 22%.
Megjithatë, tregu botëror i argjendit pritet të regjistrojë për të gjashtin vit radhazi një deficit furnizimi, me kërkesën që tejkalon ofertën me rreth 35 milionë ons.
Rënia e fortë e argjendit po ngre pikëpyetje edhe mbi perspektivën e ekonomisë globale, për shkak të përdorimit të gjerë të këtij metali në industrinë elektronike, automjetet elektrike dhe sektorin energjetik.


