Shqipëria po plaket, por 80% e të moshuarve nuk e përballojnë dot një kujdestar

Shqipëria po plaket, por 80% e të moshuarve nuk e përballojnë dot një kujdestar

14:33, 25/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndërsa kujdesi familjar po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u siguruar, alternativa e një kujdestari me pagesë mbetet e papërballueshme për shumicën e pensionistëve.

Tetë në dhjetë të moshuar në Shqipëri nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një kujdestar, sipas një ankete të PNUD-së të vitit 2025, të cituar në raportin e fundit të UN Women mbi ekonominë e kujdesit.

Aktualisht, 95% e të moshuarve mbështeten te familjarët për përkujdesje, ndërsa vetëm 5% marrin ndihmë nga persona jashtë familjes. Vetëm 2% mbështeten te kujdestarët me pagesë, kryesisht përmes shërbimeve të financuara nga shteti.

Emigracioni po e vështirëson edhe më tej situatën. Mes të moshuarve që nuk kanë një kujdestar, 61% përmendin mungesën e të afërmve si arsye, problematikë që shfaqet më e theksuar jashtë Tiranës.

Pothuajse gjysma e bashkive pa shërbime komunitare për të moshuarit

Kapacitetet e shërbimeve institucionale mbeten të kufizuara në raport me madhësinë e popullsisë së moshuar. Sipas raportit, Shqipëria ka 23 qendra rezidenciale të kujdesit, të cilat u shërbejnë rreth 705 të moshuarve, ose më pak se 1% të popullsisë mbi 65 vjeç.

Në vend funksionojnë gjithashtu 36 qendra komunitare të kujdesit ditor, me rreth 3,000 përfitues. Megjithatë, pothuajse gjysma e bashkive nuk ofrojnë asnjë shërbim komunitar për të moshuarit.

Mungesa e shërbimeve është veçanërisht problematike në zonat rurale, ku mundësitë ekonomike dhe aksesi në kujdesin profesional janë më të kufizuara.

Një tjetër problem lidhet me kualifikimin e personave që ofrojnë kujdes. Rreth 99% e kujdestarëve familjarë deklarojnë se nuk kanë arsimim formal apo trajnim bazë për këtë punë, pavarësisht se shumë prej tyre kujdesen për persona me nevoja komplekse shëndetësore.

Gratë përbëjnë më shumë se dy të tretat e kujdestarëve familjarë, duke mbajtur pjesën më të madhe të barrës së papaguar të kujdesit.

UN Women konstaton se legjislacioni shqiptar nuk garanton qartësisht aksesin në kujdesin afatgjatë, ndërsa mungojnë mekanizmat e mbështetjes financiare për rastet kur shërbimet publike nuk janë të disponueshme.

Zgjerimi i shërbimeve në banesë dhe në komunitet, profesionalizimi i punonjësve të kujdesit dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm mbeten ndër nevojat kryesore të identifikuara.

Me plakjen e popullsisë, financimi i kujdesit për të moshuarit pritet të bëhet një çështje gjithnjë e më e rëndësishme ekonomike, si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për financat e familjeve shqiptare./ Monitor/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco