Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka renditur propozimet që sipas tij, mund t’i japin fund asaj që e cilëson si “regjimi i Arbitraritetit Ekstrem” në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta thekson se zgjidhja sipas tij nis me rikthimin te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, hapjen 100% të listave për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, sanksionimin në Kushtetutë të një Qeverie Teknike përpara çdo procesi zgjedhor, si dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.

Kreu i partisë së Lirisëj argumenton se këto ndryshime janë të domosdoshme për t’i dhënë fund përqendrimit të pushtetit dhe për të garantuar funksionimin e institucioneve demokratike.

Postimi i plotë i Metës:

"Vetëm rikthimi te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, listat 100% të hapura për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, sanksionimi kushtetues i Qeverisë Teknike përpara çdo palë zgjedhjesh dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli mund t’i japin fund regjimit të Arbitraritetit Ekstrem, të instaluar prej 18 vitesh (nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008), që ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të largohen nga vendi dhe që ka zhytyr në varfëri ekstreme gjysmën e shqiptarëve që jetojnë këtu. Kushdo që nuk i pranon këto zgjidhje i shërben regjimit të Arbitraritetit Ekstrem",- shkruan Meta.