Reshjet me intensitet të lartë që priten gjatë ditës së nesërme, 26 nëntor, mund të krijojnë situata problematike në disa qarqe të vendit, me rrezik për përmbytje të lokalizuara, vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.
Instituti i Gjeoshkencave bëri të ditur sot se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër paraqitet rrezik për vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe për rrëshqitje të dherave.
Ndërkohë, në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së rrjeteve të kanalizimeve.
Reshjet pritet të sjellin gjithashtu rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm, konkretisht në Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Për sa i përket situatës meteorologjike, gjatë pasdites së sotme priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta.
Ndërsa të enjten, reshjet do të intensifikohen. Në qarkun Shkodër parashikohen reshje shumë intensive, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë reshjet pritet të jenë intensive deri lokalisht shumë intensive. Reshje intensive parashikohen edhe në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet Elbasan dhe Fier priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në të gjithë vendin parashikohen edhe shtrëngata.
Temperaturat minimale dhe maksimale për ditën e nesërme pritet të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, 12 deri në 18 gradë në vendet e ulëta dhe 3 deri në 13 gradë Celsius në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare gjatë pasdites së sotme, ndërsa në bregdet e fortë. Ditën e nesërme parashikohet erë mesatare në të gjithë vendin, ndërsa në zonat bregdetare e fortë deri shumë e fortë.


