Eric Wendt në SPAK: Korrupsioni po largon investitorët, krimi pastron paratë me kriptomonedha
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka përcjellë mesazhe të forta gjatë një takimi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është ndalur te korrupsioni në tenderat publikë, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave përmes teknologjisë digjitale.
Gjatë takimit me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta, Wendt theksoi se korrupsioni në prokurimet publike po dëmton klimën e investimeve në Shqipëri dhe po largon kompanitë amerikane që mund të investojnë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Sipas ambasadorit, bizneset amerikane kanë interes për tregun shqiptar, veçanërisht në energjetikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji, por përpara se të investojnë kërkojnë garanci se kontratat zbatohen, tenderat zhvillohen në mënyrë të ndershme dhe ligji vepron njësoj për të gjithë.
Wendt paralajmëroi se manipulimi i garave publike dhe praktikat korruptive krijojnë kushte të pabarabarta për kompanitë. Në këto rrethana, ofertuesit amerikanë tërhiqen nga gara, ndërsa pasojat, sipas tij, i ndien drejtpërdrejt ekonomia shqiptare përmes humbjes së investimeve, vendeve të punës dhe mundësive për zhvillim.
Krimi i organizuar dhe korrupsioni, paratë lëvizin përmes kriptomonedhave
Një tjetër çështje ku ambasadori amerikan u ndal gjatë fjalës së tij ishte mënyra se si rrjetet kriminale po përshtatin aktivitetin e tyre me teknologjinë. Ai vuri në dukje se paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe korrupsioni kalojnë përmes bankave, platformave të këmbimit të kriptomonedhave dhe kompanive guaskë, duke kapërcyer lehtësisht kufijtë shtetërorë.
Sipas Wendt, trafikantët përdorin aplikacione të enkriptuara për të koordinuar dërgesat, ndërsa zyrtarët e korruptuar mund të fshehin ryshfetet në portofole kriptomonedhash dhe llogari offshore. Këto skema e bëjnë më të ndërlikuar gjurmimin e parave dhe kërkojnë kapacitete të specializuara hetimore.
Ai theksoi gjithashtu lidhjen mes rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe karteleve të Amerikës së Jugut, duke nënvizuar se goditja e këtyre organizatave ka rëndësi jo vetëm për Shqipërinë dhe Evropën, por edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
SHBA trajnim për SPAK dhe BKH, provat digjitale në fokus
Në takimin me përfaqësuesit e drejtësisë shqiptare, Wendt njoftoi edhe zhvillimin e një trajnimi të posaçëm për identifikimin, ruajtjen dhe administrimin e provave digjitale.
Ambasadori bëri të ditur se një pjesë e rëndësishme e të dhënave që mund të shërbejnë në hetimet penale ndodhen në serverë të kompanive amerikane. Bëhet fjalë për komunikime elektronike, llogari në rrjetet sociale dhe të dhëna të ruajtura në platformat cloud.
Ai paralajmëroi se këto të dhëna mund të fshihen brenda një kohe të shkurtër, ndaj hetuesit dhe prokurorët duhet të njohin procedurat ligjore për kërkimin dhe sigurimin e tyre në kohë.
Për këtë qëllim, eksperti i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Taylor Phillips, do t’u shpjegojë pjesëmarrësve procedurat për sigurimin e provave elektronike nga platformat dhe kompanitë që operojnë në SHBA.
Wendt iu drejtua veçmas hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar rëndësinë e secilit në zinxhirin e hetimit. Sipas tij, hetuesit duhet të sigurojnë dhe ruajnë provat, prokurorët t’i lidhin të dhënat digjitale me personat konkretë, ndërsa gjyqtarët t’i shqyrtojnë ato me rigorozitet dhe në respekt të pavarësisë së tyre.
Në përfundim, ambasadori amerikan përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për institucionet e drejtësisë: hetimet duhet të mbështeten vetëm te provat dhe ligji, pa marrë parasysh pozicionin, lidhjet apo rëndësinë e personave që janë objekt i tyre.
“Ndiqni provat. Ndiqni paratë”, ishte mesazhi me të cilin Wendt përmbylli fjalën e tij, duke rikonfirmuar mbështetjen amerikane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Fjala e plotë e ambasadorit amerikan:
Kryeprokuror i Posaçëm Braho, Drejtor Keta, gjyqtarë, prokurorë e hetues të nderuar,
Sot, shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale. Kjo përfshin edhe çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit që trajtoni ju në SPAK.
Këto çështje kanë rëndësi për Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht.
Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike.
Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po i luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja.
Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm.
Paraja kriminale nuk ndalon te kufijtë. Ajo lëviz nëpër banka, këmbyes kriptovalutash dhe kompani guackë dhe shpesh arrin në sistemin financiar amerikan.
Trafikanti i drogës koordinon dërgesat në aplikacione të enkriptuara. Zyrtari i korruptuar fsheh ryshfetin në portofole kriptovalutash dhe në llogari jashtë vendit (offshore). Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda pak sekondave.
Kriminelët kanë kaluar në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet ta bëjnë këtë. Këto beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit shpesh kalojnë nëpërmjet provave digjitale.
Tani, sfida praktike.
Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane.
Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt.
Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.
Taylor Phillips, ekspert i Departamentit të Drejtësisë për krimet e hakerimit kompjuterik dhe të pronësisë intelektuale, do t’jua shpjegojë këtë proces hap pas hapi.
Dua t’i drejtohem drejtpërdrejt secilit grup në këtë sallë.
Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.
Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.
Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim.
Tri role. Një zinxhir.
Ju lutem, shfrytëzojeni plotësisht këtë seminar. Sillni pyetjet më të vështira që keni. Kështu trajnimi shndërrohet në rezultate.
E nisa duke thënë se shumë krime të rënda lënë një gjurmë digjitale.
Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave.
Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim.
Ndiqni provat. Ndiqni paratë.
Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush.
Faleminderit!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



