Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka folur për përgatitjet e opozitës në kuadër të zgjedhjeve lokale të 9 majit dhe mundësinë e bashkëpunimit mes forcave opozitare. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Muçollari deklaroi se PD-ja ka ftuar të gjitha partitë opozitare për të diskutuar, duke iu drejtuar edhe kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori.

Ai u shpreh se Qori nuk mund të vendosë i vetëm për zgjedhjet në Tiranë, ndërsa theksoi se Partia Demokratike është e hapur për diskutime me kryetarët e forcave të tjera politike.

Muçollari deklaroi gjithashtu se opozita duhet t’i përgjigjet asaj që ai e cilësoi si nevojë të shoqërisë për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë. Ai pranoi se brenda një force politike mund të ketë mendime të ndryshme, ndërsa përmendi edhe mundësinë e bashkëpunimit mbi bazën e programeve.

“Arlind Qori s’i fton dot zgjedhjet në Tiranë. Ka sondazhe. Po i themi zotit Qori dhe kryetarëve të tjerë: hajdeni diskutojmë! Ne po i përgjigjemi nevojës që sot ka shoqëria. Unë po them të bëjmë kryeministër Berishën. Deri tani ka ndodhur që nuk kemi punuar me programe. Cilat zgjedhje kemi vjedhur ne, PD? Sot nevoja e ethshme e shoqërisë është që vendi të hyjë në shinat e demokracisë. Mund të ndodhë që brenda një force politike të ketë mendime ndryshe.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb