Investimi në Korridorin e Energjisë së Gjelbër Kaspik-Deti i Zi-Europë vlerësohet në 22 mld euro

Investimi total në Korridorin e Energjisë së Gjelbër Kaspik-Deti i Zi-Europë, i projektuar për të transportuar energjinë elektrike të prodhuar nga burime të rinovueshme në Azerbajxhan drejt tregjeve europiane, përmes Gjeorgjisë dhe Detit të Zi, vlerësohet në 22 miliardë euro.
Sipas studimit të fizibilitetit të projektit, dokumenti është përfunduar dhe miratuar nga qeveritë e Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Projekti po kalon tashmë në fazën e projektimit.
Nga investimi total, 14.3 miliardë euro do të përdoren për zhvillimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, ndërsa 7.8 miliardë euro do të shkojnë për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme.
Projekti parashikon një korridor transmetimi me kapacitet total prej 3.9 gigavatësh (GW), të përbërë nga tri linja energjetike, secila me kapacitet 1.3 GW. Studimi e vlerëson normën e brendshme të kthimit të investimit (IRR) në 11.7%.
Sipas parashikimeve, korridori do të mundësojë eksportimin e 8 teravat-orë (TWh) energji elektrike të rinovueshme në vit drejt Bashkimit Europian deri në vitin 2032. Ky volum pritet të rritet në 20 TWh në vit deri në vitin 2040.
Të ardhurat nga mbingarkesa e kapaciteteve të transmetimit, që krijohen nga diferencat e çmimeve ndërmjet zonave ose rajoneve të tregut të energjisë elektrike të lidhura përmes infrastrukturës së transmetimit, parashikohet të tejkalojnë 315 milionë euro në vit duke filluar nga viti 2032. Projekti pritet gjithashtu të ulë emetimet e dioksidit të karbonit (CO2) me 3.6 milionë tonë në vit deri në vitin 2040.
Përfitimet ekonomike vjetore të korridorit parashikohet të rriten me hyrjen në funksion të linjave të tjera të transmetimit. Linja e parë, e planifikuar për vitin 2032, pritet të gjenerojë 860 milionë euro përfitime ekonomike në vit. Vënia në funksion e linjës së dytë në vitin 2036 parashikohet ta rrisë këtë vlerë në 1.8 miliardë euro në vit, ndërsa linja e tretë, e planifikuar për vitin 2040, pritet t’i çojë përfitimet vjetore mbi 3 miliardë euro.
Korridori i Energjisë së Gjelbër Kaspik-Deti i Zi-Europë është një projekt ndërkufitar për transmetimin e energjisë elektrike, që përfshin Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Ai u krijua në bazë të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik, të nënshkruar në Bukuresht më 17 dhjetor 2022, në prani të Komisionit Europian.
Projekti po zhvillohet nga Green Energy Corridor Power Company (GECO), një shoqëri e përbashkët e regjistruar në Bukuresht, në pronësi të operatorëve kombëtarë të sistemeve të transmetimit të energjisë elektrike të katër vendeve pjesëmarrëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









