Gjykata e Posaçme pritet të shpallë sot vendimin për fraksionin e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në të cilin janë marrë të pandehur tetë persona dhe tri shoqëri tregtare.

Biznesmeni Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme.

Më 10 nëntor, GJKKO përfundoi shqyrtimin e kundërshtimeve dhe argumenteve të paraqitura nga të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës, duke i hapur rrugën shpalljes së vendimit për çështjen, e cila po zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Në pretencën e paraqitur më 3 qershor, Prokuroria e Posaçme kërkoi në total 28 vite burg për gjashtë të pandehur, si dhe dënimin me gjobë të tri shoqërive tregtare.

Elman Abule është i vetmi nga të pandehurit për të cilin SPAK ka kërkuar vuajtjen e dënimit në burg. Për biznesmenin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 7 vite burgim, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj.

Abule akuzohet për pastrim parash. Sipas hetimeve të SPAK, biznesmeni, nëpërmjet kompanisë së tij “Rametal”, dyshohet se ka ndihmuar në qarkullimin e parave drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke përdorur fatura të dyshuara si fiktive.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb