Nesër paralizohet për 3 orë transporti publik në vend, rritja e TVSH do të shtrenjtojë biletat

Nesër e gjithë Shqipëria do të zgjohet pa autobusë dhe furgonë të transportit publik. Shërbimi do të ndërpritet për 3 orë, duke nisur nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 08:00.
Vendimi është njoftuar nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027.
Ndërprerja e shërbimit në të gjithë vendin është paralajmëruar në prag të seancës plenare të Kuvendit, më 26 nëntor, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat shprehen se rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të shtojë kostot e operatorëve dhe do të përkthehet në rritje të çmimit të biletës për qytetarët.
Shoqatat argumentojnë se qëllimi i këtij reagimi është shmangia e rritjes së çmimit të biletës dhe transferimit të barrës shtesë fiskale te qytetarët.
“Në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, më 26 nëntor 2026, ku është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban përsërisin kërkesat e tyre për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe garantimin e një shërbimi publik të përballueshëm.
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, sjell rritjen të çmimit të biletës për qytetarët, në transportin publik. Për këtë arsye, njoftojmë se nesër, ditën e enjte, më 26 nëntor 2026, shërbimi i transportit publik, në të gjitha qytetet e vendit, nuk do të nisë funksionimin në orën 08:00.
Deri në këtë orë, shërbimi nuk do të ofrohet. Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët. Transporti publik është një nevojë e përditshme për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera thelbësore.
Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar dhe u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin në konsideratë kërkesat tona, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik”, thuhet në njoftim.
Edhe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë dëgjesës së grupet e interesit kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni argumentoi se TVSH-ja është pjesë e formulës së llogaritjes së çmimit të biletës, i cili përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak. Për këtë arsye, ndryshimi i normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% do të kërkojë rishikimin e çmimit përfundimtar të biletës.
Sipas tij, operatorët e transportit publik nuk mund të ndërhyjnë në mënyrë të njëanshme në çmimin e biletës, pasi ai nuk përcaktohet lirisht nga tregu, por miratohet nga autoritetet vendore.
Për këtë arsye, shoqata kërkon që transporti publik të përfshihet në kategoritë që përfitojnë normën e reduktuar të TVSH-së prej 6%.
Shoqatat e Transportit Publik për Paketën: Nga 1 janari TVSH 21% do të rrisë çmimin e biletës
Edhe më herët nëpërmjet një letre drejtuar Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkoi marrjen parasysh të kërkesës së saj për përfshirjen e transportit publik në skemën e TVSH të reduktuar në masën 6%.
Shoqata vlerëson se propozimi i tyre duhet të merret në konsideratë, pasi rritja e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%, si masë do të ushtrojë presion si për rritjen e çmimit të biletës dhe të abonesë.
Rritja e propozuar e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% duhet të vlerësohet në raport me efektin buxhetor dhe me pasojat e mundshme ekonomike e sociale për përdoruesit e transportit publik dhe operatorët, pasi operatorët nuk mund të bëjnë rritje të njëanshme të çmimit, pasi çmimi përcaktohet nga pushteti vendor.
Transporti publik kërkon TVSH 6%, paralajmëron rritjen e çmimit të biletës nga 1 janari
Transporti publik ka reduktuar edhe në mesin e muajit prill shërbimin me rreth 40%, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe vështirësive financiare me të cilat po përballen operatorët.
Nga nesër reduktohet me 40% transporti publik në të gjithë Shqipërinë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









