Fraksioni i dosjes së Veliajt, Gjykata e Posaçme shtyn për nesër vendimin për personat e pandehur

Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër shpalljen e vendimit për biznesmenin Elman Abule dhe të pandehurit e tjerë në fraksionin e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Shkak për shtyrjen është bërë nevoja e trupit gjykues për më shumë kohë për shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të depozituara nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre.
Vendimi, i cili ishte parashikuar të shpallej këtë të mërkurë, do të jepet nesër, më 26 nëntor, në orën 15:30.
Biznesmeni Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ishte paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme në pritje të vendimit.
Në këtë fraksion të dosjes janë marrë të pandehur tetë persona dhe tri shoqëri tregtare, ndërsa procesi po zhvillohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Më 10 nëntor, GJKKO përfundoi shqyrtimin e kundërshtimeve të të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës. Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se i nevojitet kohë shtesë për shqyrtimin e argumenteve të paraqitura me shkrim përpara se të marrë vendimin përfundimtar.
Në pretencën e dhënë më 3 qershor, Prokuroria e Posaçme kërkoi në total 28 vite burg për gjashtë të pandehur, si dhe dënimin me gjobë të tri shoqërive tregtare.




